anë mbetur edhe më pak se dy javë deri te dita kur është paraparë të mbahet seanca për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Megjithëkëtë zyrtarët e opozitës po vazhdojnë të dyshojnë se në ditët në vijim mund të arrihet ndonjë pazar për formimin e një qeverie të re, pa shkuar fare në zgjedhje. Por të gjitha partitë politike tashmë janë deklaruar pro zgjedhjeve të parakohshme.
Pavarësisht deklarimit të subjekteve se janë pro zgjedhjeve, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se ekzistojnë gjasat që shpërndarja e Kuvendit të mos ndodhë fare.
“Shpërndarja e Kuvendit, për shkak të interesave të ndryshme, por edhe të ndikimit ndërkombëtar, mund edhe të mos ndodhë”, ka deklaruar për “Zërin” politologu Belul Beqaj.
Megjithëkëtë ai nuk ka përjashtuar as opsionin tjetër, që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve. Por edhe nëse ndodh ky skenar Beqaj është shprehur skeptik se do të ndryshojë diçka në të mirë të Kosovës.
“Është qartë se ky pushtet e ka humbur plotësisht legjitimitetin por për këtë ka përgjegjësi edhe opozita. Prandaj zgjedhjet mund të ndodhin, por mua më shqetëson fakti se nuk do të ndryshojë pushtetbërja që e ka sjellë Kosovën në këtë derexhe ngase në lojë janë akterët e njëjtë që kanë qenë në pushtet për rreth 20 vjet, me përjashtim të VV-së. Rregullat dhe ambienti formal nuk kanë ndryshuar, prandaj nga këta akterë nuk pres rezultate më të mira, përkundrazi mund të bëhet edhe më keq”, ka shtuar Beqaj.
Sipas tij do të duhej të formoheshin institucione të atilla në të cilat nuk figurojnë persona të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion.
“Mendoj se të gjithë që e kuptojnë nevojën e rotacionit politik, ku politika dhe politikanët do të jenë në shërbim të qytetarëve e jo politikanët të shërbehen me ta, si deri më tani, do ta krijojnë një përbërje dhe formë tjetër zgjedhore të pastruar nga lista e të dyshuarve nga Gjykata Speciale dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni, duke nisur nga presidenti i Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.
E tërë kjo sipas profesorit Beqaj ka të bëjë me krijimin e një qeverie të përkohshme e cila do t’i kryente disa punë që do t’i merrte përsipër.
“Kjo nënkupton një qeveri kalimtare që do të punonte në funksion të këtyre ndryshimeve dhe do t’i implementonte disa marrëveshje të paimplementuara nga dialogu me Serbinë, të cilat janë detyrime të aprovuara. Prandaj janë përgjegjësitë shtetërore, të cilat domosdoshmërisht do t’i implementojë cilido pushtet i përgjegjshëm”, ka potencuar ai.
Ndërkohë, përkundër faktit që partitë politike po deklarohen për zgjedhje, Belul Beqaj ka thënë se asnjë prej subjekteve politike nuk është i gatshëm që të ballafaqohet me këtë proces.
“Realisht asnjë parti nuk është e përgatitur si duhet për zgjedhje. LDK-ja i ka shtyrë përplasjet e brendshme përkohësisht- në emër të unitetit të rrejshëm, të cilat do të shpërthejnë qysh nesër kur të prezantohet kandidati për kryeministër. PDK-ja është në fokus të Gjykatës Speciale, ka një kryetar që nga hija e ish-kryetarit Thaçi po mundohet të dalë me aventura të tipit të propozimit të rezolutave, shkarkimit të anëtarëve me aktakuza, të cilat nuk po ‘pijnë ujë’”, ka shtuar ai.
Pos këtyre, ai ka konsideruar se as partitë e tjera nuk janë të gatshme që të ballafaqohen me zgjedhje në këtë kohë.
“VV është e lënduar nga ndarja, ka mbetur e vetmja shpresë e parealizuar, por Albini, gabimisht po i vardiset LDK-së e cila është dëshmuar katërçipërisht jokonsistente”, ka përfunduar ai.
Seanca për shpërndarjen e kuvendit është caktuar më 22 gusht. Deri më tash shumica e partive parlamentare i kanë dorëzuar nënshkrimet e deputetëve të tyre për këtë seancë.