970×90
970×90

Para nisjes për Bruksel, Kurti zhvillon një “bisedë të frytshme” telefonike me këshilltarin e Blinkenit

Para nisjes për Bruksel, Kurti zhvillon një “bisedë të frytshme” telefonike me këshilltarin e Blinkenit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet më 18 gusht me presidentin e Serbisë në Bruksel, Aleksandar Vuçiq, ku temë e nxehtë pritet të jetë çështja e Asociacionit të Komunave serbe. Dy ditë para këtij takimi të shumëkomentuar, Kurtit nga SHBA-ja i ka ardhur një përshëndetje nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Pak më parë, Kurti ka njoftuar se sot ka pasur një bisedë telefonike, siç e quan ai “të frytshme”, me këshilltarin e Departamentit të Shtetit Derek Chollet.

Kurti ka thënë se me Chollet ka biseduar lidhur me dialogun me Serbinë, duke u fokusuar te nevoja për arritjen e një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke.

I pari i Qeverisë ka theksuar Chollet ka përcjellur përshendetjet e Sekretarit Blinken pas një takimi që e kishin muajin e kaluar në Uashington.

“Një bisedë e frytshme telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit (Derek Chollet), lidhur me shumë çështje përfshirë dialogun me Serbinë; rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje të qendërzuar në njohje reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në Uashington në muajin e kaluar”, ka shkruar Kurti.

Duke i paraprirë takimit në Bruksel me Vuçiqin, Kurti ka deklaruar se është negociator i ashpër, porse i respekton marrëveshjet e arritura, ndërkohë që liderët serbë takimit po i paraprijnë me deklarata mosbesuese ndaj Kurtit, duke ngritur dyshime mbi qëllimet e tij paqësore në rajon.

Chollet ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidenca e Serbisë, përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

Aty thuhet se temë kryesore e kësaj bisede ishin takimet që pritet të zhvillohen në Bruksel, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

“Vuçiq tha se Serbia është e përkushtuar për të siguruar stabilitet dhe paqe në rajon derisa shprehu pritshmëritë e tij që SHBA’ja dhe Partnerët Perëndimorë ta shtyejnë Kosovën që t’i qaset dialogut me seriozitet dhe përgjegjshmëri.

Tutje, Vuçiq dhe Schollet biseduan edhe për mundësitë e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale mes SHBA’së dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Serbisë.

Ndryshe, Kurti e Vuçiq do të takohen në Bruksel, të enjten. Agjenda e takimit ende s’është bërë e ditur, por zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se në këtë takim parashihet të diskutohen dy pika kryesore, që janë elementet e një kornize të përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë, me njohje reciproke në qendër dhe zhvillimet aktuale në vend.

Related posts