Opozita e Kosovës duket se nuk është edhe aq unike. Jo rrallë herë, kohëve të fundit janë parë duke hedhur kritika në drejtim të njëra tjetrës. Situatë e ngjajshme ndodhi edhe së fundi, kur Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi t’i votojë disa prej marrëveshjeve ndërkombëtare.
Nuk vonoi shumë, pas seancës që u mbajt të enjten, në lidhje me këtë zhvillim reagoi Partia Demokratike e Kosovës. Sekretari i këtij subjekti politik, Betim Gjoshi konsideroi se edhe LDK “u dorëzua në gjirin e ngrohtë” të kryeministrit Albin Kurti.
“Lehtësisht u avulluan deklaratat për paaftesinë e dëmet e Qeverisë, për mashtrimet dhe rrezikimin e të ardhmes së Kosovës. U harruan edhe sanksionet që Qeveria Kurti ia solli vendit e që për shkak të tyre ende janë të pezulluara afër 300 milionë euro fonde për Kosovën.” – tha ai.
Sipas tij madje, zhvillime të tilla zakonisht kanë një prapavijë politike.
Sidoqoftë, kur jemi te Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari i saj Lumir Abdixhiku, së fundi ka kërkuar nga gazetarët që të mos e identifikojnë me gjithë opozitën.
Në një intervistë në emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë opozita nuk është një dhe ka kërkuar që të partia që udhëheq ai “të mos përzihet” me të tjerët.
“Ju kisha lutë që sa herë që jemi në diskutime, opozitën mos ta referoni si një tërësi sepse sjemi një. Mos na përzieni me të tjerët.” – ka thënë ai.
“I pashë lajmet opozita mendon, opozita nuk mendon, sepse ishte fjala vetëm për një parti të caktuar. Ne i kemi qëndrimet tona.” – shtoi tutje Abdixhiku.
Ndërkohë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka pranuar se opozita “nuk është në nivelin e duhur”, derisa theksoi se nuk kanë ditur të bashkohen.
Në një intervistë në “Rubikon”, ai ka thënë se opozita nuk ka ditur të bashkohet dhe ta mbaj nën kontroll Qeverinë Kurti.
“E meritojmë kështu me na e ba Kurti sepse ia kemi lanë livadh, ia kemi dhanë votën me shumicë dhe atë blanko, pastaj ne si opozitë nuk kemi ditë me u bashku me kohë dhe me mbajt nën kontroll këtë njeri dhe këtë qeveri, ky e shtini në kontroll edhe presidenten dhe parlamentin dhe të gjithë realisht. Të vetmit që nuk po i kontrollon janë gjyqësori dhe mediat.” – u shpreh ai në Rubikon.
Vlen të përmendet se opozita nuk ka arritur t`i bashkojë votat për të dërguar presidenten Vjosa Osmani në Gjykatë Kushtetuese për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.