Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në një reagim pas ngjarjes në Serbi, ku mbeti i vrarë një polic serb, e që Serbia pretendon se i dyshuari është një shtetas i Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër territorin serb.
MPJD bën thirrje që sipas vlerësimit të situatës, ata të shmangin edhe tërësisht kalimin nëpër territorin serb, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në apelin e MPJD.
Një polic është vrarë, një tjetër është plagosur rëndë nga të shtënat me armë një orë pas mesnatës së të mërkurës në Loznicë të Serbisë.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka publikuar një fotografi të të dyshuarit për sulmin ndaj policëve në Loznicë. Siç po raportohet në mediat në Serbi, në vendin e ngjarjes policia ka gjetur pasaportën e të dyshuarit për sulmin.
Pasaporta siç po raportohet është e Kosovës në emër të Artan Hajrizi, 33 vjeçar. Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një letërnjoftim i Gjermanisë.
Forca të forta policore janë në kërkim intensiv të sulmuesit, thonë nga MPB-ja serbe. Kërkimet sipas mediave serbe janë duke u bërë edhe me dronë.
Siç po raportohet të shtënat kanë ndodhur pasi autori ka refuzuar që Policia ta kontrollojë çantën që ai e kishte me vete.