Të enjten, më 28 prill 2022, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancën plenare të radhës. Shkruan Gazeta Projekti.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, në rend dite do të jetë propozimi i 40 deputetëve për caktimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Më pas, pritet të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare, për të vijuar me zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komuniteteve tjera joshumicë, si dhe të tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Seanca pritet të përmbyllet me formimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.