Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh kryetare e Alternativës, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë mbi 50 për qind të votave.
“Besoj që sondazhet dhe disponimi tregon se në të njëjta shifra do të jetë edhe në këtë mandat Lëvizja Vetëvendosje, në bazë të të gjitha vlerësimeve apo matjeve që janë bërë në Kosovë pa diasporën, shto këtu faktin dhe pjesëmarrja e diasporës. Mendoj që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë në statistikat e njëjta të vitit 2021, në nivelin e 50 përqindëshit apo më shumë”, ka thënë ajo.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Kusari-Lila ka theksuar se datat e propozuara nga ajo janë të favorshme për qytetarët, për shkak se janë më larg festave të fund vitit.
“Unë në takim me presidenten e vendit kam përfaqësuar partinë e kryetares që jam, Partinë Alternativa dhe kam dhënë dy data, datën 9 shkurt dhe 16 shkurt si datat më të mira të mundshme, jo vetëm sa i përket partisë politike por edhe mbarëvajtjes së procesit parazgjedhor dhe pas zgjedhor. Besoj se 26 janari ndërlidhet me afatet e festave të fund vitit. Rrjedhimisht kuptohet se 30 ditë është fushata, që do të thotë se fillon dy ditë përpara në natën e Krishtlindjeve dhe nuk është fare e përshtatshme. Natyrisht kjo do të përbëjë ngarkesë për të gjithë këtu dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që janë në festime, shto këtu faktin që mund të kemi edhe mungesë të bashkisë ndërkombëtare, shumica e të cilëve do të jenë jashtë vendit për ata që veçse janë në Kosovë e gjithashtu edhe të tjerët që vijnë nga delegacionet prej Parlamentit Evropian apo organizatave të tjera që bëjnë përcjelljen e zgjedhjeve”, ka thënë Kusari-Lila.