Policia e Kosovës, sot në një komunikatë, ka kërkuar nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm, të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, të informojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për parandalimin e këtyre rasteve.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë është duke i trajtuar disa ankesa të qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët kishin bërë aranzhime turistike për verën e vitit 2018 në Agjencinë Turistike “Vol Travel” me seli në Gjilan”, shkruan në raportin e policisë.
Këto aranzhime turistike, sipas qytetarëve që dyshohet se janë dëmtuar financiarisht nga kjo agjenci, nuk janë realizuar fare. Ata thonë se kanë paguar të hollat dhe biletat supozohej që t’i merrnin një ditë pas pagesës, por kjo gjë nuk ka ndodhur fare.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, fton të gjithë qytetarët që kanë pasur raste të tilla, të paraqiten në këtë të fundit.
“Këto aranzhime turistike dyshohet se nuk janë realizuar nga agjencioni i lartëpërmendur, prandaj ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët kanë bërë aranzhime turistike me agjencionin në fjalë, e të cilat aranzhime nuk janë realizuar, të paraqiten në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës në nivel të regjioneve përkatëse policore ku ata banojnë”, shkruan në komunikatën e Policisë. /GazetaExpress