Izraeli ka anuluar udhëtimin e planifikuar në Katar të kreut shërbimit të inteligjencës, për të rifilluar bisedimet për një marrëveshje të dytë të mundshme për lirimin e pengjeve, konfirmoi për CNN një burim i njohur me negociatat.
“Drejtori i Mossad-it, David Barnea nuk do të udhëtojë në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku janë zhvilluar bisedimet e mëparshme për lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit në Gaza”, citon mediumi amerikan burimin e tij.
Kanali 13 i Izraelit raportoi për herë të parë të mërkurën se kabineti izraelit i luftës, i udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, ka anuluar udhëtimin dhe se zyrtarët e lartë izraelitë nuk do të shkojnë në Katar për të rifilluar negociatat.
CNN ka kontaktuar zyrën e kryeministrit për udhëtimin e anuluar të Barnea. Mossad i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.
Rreth 240 persona, nga foshnjat deri tek tetëvjeçarët, u morën peng gjatë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Dhjetëra janë liruar, por shumë të tjerë mbeten të zhdukur, që supozohet se mbahen nga organizata militante palestineze dhe grupe të tjera në Gaza.
Zyra e kryeministrit izraelit beson se 135 pengje mbeten në Gaza, 115 prej të cilëve janë gjallë.
Negociatat zyrtare nuk kanë rifilluar që kur bisedimet për pengjet që po zhvilloheshin në Doha u ndërprenë në fillim të këtij muaji.
Por Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Katari kanë vazhduar të diskutojnë mënyrat për të tentuar të nisin diskutimet, thanë burime të shumta.
“Ne nuk u ndalëm kurrë,” tha një burim i njohur me bisedimet.