Keqpërdorimet me subvencione, Haxhiu: Abuzuesit do të dalin para drejtësisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka përshëndetur aksionin e sotëm të policisë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ku janë arrestuar disa zyrtar për keqpërdorim me subvencione.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se abuzuesit herët apo vonë do të dalin para drejtësisë.
“Zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën e tyre zyrtare dhe janë pasuruar kundërligjshëm e në kurriz të qytetarëve, do të japin përgjegjësi. Përgëzoj institucionet për punën lidhur me rastin e keqpërdorimeve me subvencione. Abuzuesit herët apo vonë do të dalin para drejtësisë!”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se shteti i së drejtës nuk ka alternativë.
Ndryshe sot Policia e Kosovës ka zhvilluar aksion në AZHB lidhur me keqpërdorimet me subvencione. Ky aksion ishte vazhdim i aksionit të mëhershëm që kishte ndodhur në fillim të këtij vitit ku ishin arrestuar mbi 10 zyrtarë./