Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, ka zhvilluar takim me Matthew Palmer, Zëvendës-Ndihmës Sekretar i Shtetit të ShBA-së, me të cilin bisedoi për progresin e gjithanshëm në Kosovë, për zhvillimin ekonomik, për fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe për afirmimin e subjektivitetit
Haradinaj falënderoi Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Palmer, për rolin dhe përkrahjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset e rëndësishme për Kosovën.
“Kosova është me fat që në etapat më të rëndësishme të saj ishte ndihmuar dhe mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkrahje kjo e cila po vazhdon edhe në ditët e sotme në të gjitha fushat. Si institucione të Kosovës jemi të përkushtuara të thellojmë bashkëpunimin me SHBA-të”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar shtetin amerikan për përkrahjen në përmbushjen e agjendës evropiane.
Matthew Palmer, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të SHBA-së për avancimin e agjendës integruese dhe zhvillimore të Kosovës.
Roli i ShBA-së, sipas kryeministrit Haradinaj vazhdon të mbetet i pazëvendësueshëm në proceset që po kalon shteti i Kosovës.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Palmer për progresin e Kosovës në fuqizimin e sundimit të ligjit, sigurisë dhe progresin ekonomik si çështje kryesore në përafrimin e Kosovës me familjen euroatlantike.
“Roli i ShBA-së, si aleate strategjike e vendit tonë, është i domosdoshëm në proceset aktuale, në konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, veçanërisht ato të sigurisë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.