Ramiz Kelmendi, deputet i LDK’së, e ka një shpjegim të shkurtër pse zyrtarët e Partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova nuk morën pjesë në ceremoninë mortore të Adem Demaçit.
Deputeti pejan thotë se qëndrimet e përhershme të Demaçit kundër Ibrahim Rugovës dhe LDK’së mund të kenë ndikuar në marrjen e një vendimi për të mos shkuar në varrim të njeriut që kishte qëndruar 28 vjet në burgjet e Serbisë.
“Mund të jetë ndoshta një procesi historik. Qëndrimi, ndoshta, i Demaçit ka qenë anti Rugova, anti LDK dhe sigurisht se Kryesia e LDK’së i di këto punë. Në bazë të historisë vendosë a me shku a po jo me përcjell”, ka thënë Kelmendi, për Express, të shtunën.
Ai ka thënë se vazhdon të ketë probleme shëndetësore prandaj as që nuk i ka shkuar mendja të shkojë në varrimin e Demaçit.
Kelmendi është prej deputetëve të rrallë të LDK’së. Disa prej deputetëve janë kontaktuar nga Express, por nuk kanë dashur të flasin për këtë temë.
Në këtë situatë, Ramiz Kelmendi, ka thënë se duhet të pyetet edhe Ismet Beqiri për qëndrimin e Partisë.
“Këto çështjet politike është mirë të bisedoni me Sekretarin e LDK’së. Mua më takon më shumë resori ekonomik. LDK ka strukturat udhëheqëse dhe vendimet e tyre janë të zbatueshme për neve deputetët e LDK’së. Ata e dijnë pse kanë marrë vendime të tilla dhe ne i respektojmë ato vendime”, ka shtuar ai.
Sidoqoftë, LDK në ditën kur vdiq Demaçi lëshuan një komunikatë ku e cilësuar atë si simbol të sakrificës kundër pushtetit serb.
Adem Demaçi është varrosur sot me nderime shtetërore në varrezat e Velanisë aty ku është edhe Ibrahim Rugova.
Sa ishte gjallë Demaçi, nuk kishte lenë organizim dhe paraqitje publike, pa kritikuar e akuzuar LDK’në, Ibrahim Rugovën dhe njerëzit përreth kësaj partie.
Në disa raste, Demaçi e ka konsideruar Rugovën si pijanec, ndërsa, njëri prej ushtarakëve të LDK’së i vrarë pasluftës, Tahir Zemaj, e kishte cilësuar si diler të drogës.
Edhe LDK nuk e ka kursyer Adem Demaçin nga akuzat.
Njëri prej njerëzve të afërt të LDK’së tashmë i ndjerë Mark Krasniqi pati thënë se Adem Demaçi do të bënte mirë sikur të vdiste kur kishte dalë nga burgu.
Demaçi ka qenë përkrahës dhe mbështetës i Hashim Thaçi posaçërisht dhe disa ish-luftëtarëve tjerë të afërt me PDK’në.