Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, është alarmuar me arrestimin dhe shoqërimin në Polici të kameramanit të medias “Betimi për Drejtësi”, Arianit Tahiri.
Sipas njoftimit nga AGK, Tahiri ka qenë i shoqëruar bashkë me gazetaren, Alberta Hashani duke realizuar një hulumtim për dyshimet për keqpërdorim të detyrës gjatë orarit zyrtar të disa prokurorëve.
“Tahiri ka qenë duke xhiruar në një lokal publik kur i është ndaluar xhirimi nga punëtorët e lokalit dhe së paku një prokuror që ka qenë aty.
Prokurori ka ftuar policinë në lokal dhe derisa ka arritur policia, kameramani Tahiri është mbajtur dhunshëm në lokal nga punëtorët, duke ia privuar lirinë kundërligjshëm.
Pas arritjes së policisë në lokal, zyrtarët policorë ia kanë konfiskuar kameramanit edhe telefonin si mjet i punës, gjë që ndalohet me ligj dhe e kanë shoqëruar në Stacionin Policor për deklaratë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja ka dënuar fuqishëm sjelljen e Policisë së Kosovës dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Tahirit, si dhe lirimin e mjeteve të punës dhe dhënien e sqarimeve publikisht për incidentin.