
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj,ka ndërmarrë një veprim konkret për të parandaluar ikjen e trurit nga Republika e Kosovës. Zemaj ka njoftuar për themelimin e Bordit Qendror për shkollim specialistik, e i cili do t’i ketë 3 vjet mandat dhe do t’i përgjigjet Ministrisë së Shëndetësisë.
“Qindra mjekë të diplomuar prej vitesh e kanë pritur këtë vendim që t’u mundësohet të ndjekin shkollimin e mëtejmë specialistik në fushën e mjekësisë.” – ka shkruar z.Zemaj.
Ai i ka quajtur specializantët si “pasurinë më të shtrenjtë të Kosovës” dhe ka deklaruar se përmes këtij vendimi po parandalohet ikja e trurit nga Kosova.
Statusi i plotë:
Sot themeluam Bordin Qendror për shkollim specialistik, me mandat 3 vjeçar, i cili do t’i përgjigjet Ministrit të Shëndetësisë.
Qindra mjekë të diplomuar prej vitesh e kanë pritur këtë vendim që t’u mundësohet të ndjekin shkollimin e mëtejmë specialistik në fushën e mjekësisë.
Që nga dita e parë si ministër e kam prioritet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë problemi i specializantëve, që për vite të tëra nuk janë angazhuar në profesionin për të cilin kanë përfunduar studimet universitare dhe tash u duhet të ndjekin specializimet në fushat e preferuara të tyre.
Do t’i trajtoj me seriozitet të madh kërkesat e mjekëve, infermierëve e profesionistëve shëndetësorë që këta të mos e braktisin Kosovën.
Këta janë pasuria jonë më e shtrenjtë, të cilët vendi ynë nuk duhet t’i eksportojë jashtë.
Ta parandalojmë ikjen e trurit!
Ta zhvillojmë Kosovën!