970×90
970×90

Shkruan Avdyl Brahim Hoxha: 107 vjet, nga mbajtja e Kuvendit të Junikut dhe mbrojtja e tij

Shkruan Avdyl Brahim Hoxha: 107 vjet, nga mbajtja e Kuvendit të Junikut dhe mbrojtja e tij

Punoi: Mr.sc. Avdyl Brahim Hoxha


Dispozitat e Kushtetutës Xhonturke, më 23 korrik 1908, u pranuan në Shqipëri në mënyra të ndryshme. Një pjesë e tyre gjetën një mbështetje të pjesshme, e cila zgjati deri, më 31 mars 1909, kur gjendja ishte relativisht e qetë.

Por, kur Xhavit Pasha veproi kundër Kanunit në Gjakovë e në Pejë, populli shqiptar kundërshtuan duke thënë: “Çdo me thanë, kjo është një vepër kundër kushtetutës”, e atëherë e kuptuan se drejtësia qenka ndryshe, kështu u prish gjithçka.

Pra, ata që vepruan kundër Kanunit të parë, duhet të dënohen dhe duhet ruajtur Kanunin në mënyrë që shqiptarët të gjejnë këtu mundësinë të shtrohen, të kenë besim. Së pari duhet të vendoset qetësia, pastaj të merren me përhapjen e me zbatimin e arsimit e të tjera.

Më 16 dhjetor 1909, paria e Prishtinës i dërgoi letër deputetit, Hasan Prishtinës, për luftën që duhet bërë për futjen e alfabetit latin në shkollat shqipe, në kuptim që me të, të mund të shkruheshin të gjithë tingujt e gjuhës shqipe. Ju lutemi ju si deputet të bëni përpjekje që të krijohen të gjitha mundësitë që në shkollat tona fillore, dituritë e shkencat të mësohen në gjuhën shqipe dhe që kjo të mësohet si gjuhë më vete.

Me 10-23 të shkurtit 1910, nxënësit e Shkollës Normale të Elbasanit dolën për të pritur 16 çunat kosovarë që erdhën në Shkollën Normale të Elbasanit. Në pritje ishin nxënësit e Idadies (shkollës së mesme turke), që nuk dëshironin të mësojnë gjuhën shqipe me shkronja arabishte. Në pritje foli Luigj Gurakuqi drejtor i shkollës normale të Elbasanit, ku përveç tjerash tha: “Tek ju e kemi shpresën o djem të ardhur nga të gjitha viset e Shqypnisë, që të viheni n’udhë që të mund të bëheni një ditë apostuj të kombit tonë dhe shtyllë e Shqypnisë sonë të dashur”.

Vrasjet, krimet dhe incidentet që bëheshin përditë ishin të padurueshme. Mirëpo, Xhavit Pasha erdhi në Pejë me pretekst për të ndjekur Isa Boletinin i cili gjendej në Junik. Pashai rrenoi me topa shtëpitë e shumë familjeve të pafajshëme. Ngjajshëm veproi edhe në Gjakovë. Shqiptarët filluan të ashpërsohen dhe t’i gjykojnë veprimet e tilla. Xhavit Pasha bëri masakër në fshatin Bllacë dhe rrënoi 30 shtëpi, dhe me njëmbdhjetë batalione sulmoi Lumen dhe rrenoi 200 shtëpi. Në këtë kohë lumjanët lidhën besën dhe këtë besë e mbajtën. Që nga kjo ditë, filluan pakënaqësitë në tokat shqiptare.

Qeveria turke që kishte për qëllim t’i jepte grusht vendimtar gjithë Lëvizjes Shqiptare, vazhdoi ekspeditën në drejtim të Shkodrës e Dibrës. Kolonat e ushtrisë  turke hasën në rezistencë të fortë në Qafë të Morinës. Aty malësorët e Gashit, Krasniqes, Shalës, Shoshit dhe Kelmendit zhvilluan luftime të përgjakshme. Në organizimin e rezistencës u dalluan: Shaban Binaku, Bajram Curri, Avdyl Hoxha, Bajraktari i Morinës dhe Riza bej Gjakova. Në Qafën e Agrit, turqit hasën në qëndresë të fortë nga fisi i Shalës të udhëhequr nga Prenë Tuli, Mehmet Shpendi dhe Marash Delia. Për shtypjen e kryengritjes shqiptare të vitit 1910, qeveria turke dërgoi në Kosovë 55 mijë ushtarë. Ekspedita ndëshkimore, ekzekutoi me varje së paku 18 krerë të shquar shqiptarë dhe burgosi 13 mijë veta. Kurse deri në korrik të vitit 1910 nga popullsia shqiptare mori 100 mijë pushkë.Çarmatimi i shqiptarëve nga ana e qeverisë turke ishte gëzim i madh dhe sihariq për çarqet shoviniste serbe.

Kur gjyqet ushtarake filluan likuidimin, varjen dhe pushkatimin e krerëve të Lëvizjës Kombëtare Shqiptare, anembanë Kosovës, qeveria e Serbisë mbante nën mbikëqyrje pjesën tjetër të krerve udhëheqës të kryengritjes shqiptare. Në mes shumë të tjerëve u varën dhjetëra veteranë të lirisë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare.

Së këndejmi lufta diplomatike shqiptare në parlament ishte ballafaquar me kundërshtarë të thuash nga tërë bota. Hasan Prishtina në Parlamentin turk, më 3 prill 1910, tha: “Ata që i akuzojnë shqiptarët si reaksionarë janë pikërisht ata që janë tradhtarë të këtij atdheu, janë vetë reaksionarë, ata që duan t’i akuzojnë  si njerëz që kanë rënë në lakun e propagandës së huaj janë njerëz meskinë…”

Në seancën parlamentare turke, më 7 dhjetor 1910, Hasan Prishtina, duke polemizuar me kryeministrin Haki Pasha theksoj se shkaktar për kryengritjen shqiptare ishte administrata e keqe dhe zullumi xhonturk ndaj shqiptarve. Patrioti shqiptar gjithashtu tha: “në qoftë se një ditë do të vendoset në këtë vend një regjim i vërtetë kushtetues, ju do të dilni para gjykatës së lartë”. Më tutje ai  kërkoi edhe shpërndarjen e kabinetit të Haki Pashës. 

Ngritja e vetëdijes kombëtare, dhe shtimi i unitetit ka bërë përparim të dukshëm veçanërisht në Kosovë ku  punohej për një mirëkuptim me të gjitha pjesët e vendit, duke pasur për qëllim një kryengritje të madhe.

Kryengritjet shqiptare të udhëhequra nga Isa Boletini, Idriz Seferi, Hasan Hyseni e të tjerë nga viti 1909-1911, dëshmuan se në mungesë të ekzistimit të një organizate revolucionare kombëtare të vetme, frytet e kryengritjeve do t’i shfrytëzojnë qarqet qeveritare të popujve fqinj. Nga ky shkak Hasan Prishtina thirri në mënyrë gjysmëlegale një Kuvend shqiptar në Shkup. Sipas burimeve në këtë kuvend morën pjesë shumë patriot shqiptarë si: Bajram Curri kolonel i xhandarmërisë, Nexhib be Draga deputet nga Shkupi, Hasan be Prishtina deputet nga Prishtina. Në këtë Kuvend, u formua një komision, gjegjësisht një Këshill i vendit. Ky Këshill kishte për detyrë të kujdeset (merret) me punët e atdheut. Sipas konsullit të Vjenës në Shkup, këshillimi u mbajt në Shkup në tetor 1911, dhe quhej “Kongres Shqiptar”, vendimet dhe vendi i mbajtjes janë mbajtur të fshehura para autoriteteve.

Të gjitha rreziqet që i kanoseshin popullit shqiptar nga ana e verbësisë së Turqisë dhe të epsheve pushtuese të Qeverisë ruse e të Qeverive ballkanike ndikuan në lidhje më të forta politike mes deputetëve dhe publicistëve shqiptarë. Kishte ardhur koha dhe momenti për një kryengritje të përgjithshme shqiptare, e cila si fazë të parë kishte pavarësinë e cila arrihej me bashkimin e katër vilajeteve she shpalljen e autonomisë së Shqipërisë.

Zhvillimi i idesë kombëtare, në veri të Shqipërisë, Pejë, Deçan, Junik, Rekë, Gjakovë, Prizren, Dibër, Prishtinë, është një pasojë fatlume për shqiptarë dhe aspak e dëshiruar nga turqit. 

Kjo u shkaktua nga masat e tyre barbare shtypëse dhe nga mosmbajtja e fjalës së dhënë.

Kërcënimi i Hasan Prishtinës në Parlamentin e Turqisë para 200 deputetëve, më 11 janar 1912, duke thënë: “Koftë se qeveria nuk e ndrronë politikën e administrimit në Shqipëri, në koftë se shqiptarët nuk i gëzojnë të drejtat e tyre politike, vendi do të hidhet në kryengritje, do të shpërthejë revolucioni, ndoshta i pari ndër të parët do të jomë unë”. Kjo bëri një efekt të madh, në të vërtetë kjo ishte një grusht i ngritur i popullit shqiptar kundër robëruesit turk, sepse Hasan Prishtina ishte përfaqësues i popullit.

Hasani qysh herët kishte bërë përgatitje për kryengritje gjithë kombëtare, gjë që ia kishte zbuluar edhe diplomatit Vjenez në Selanik, më 5 janar 1912. Aso kohe Qeveria turke kërkoi nga parlamentarët e Kosovës që t’i analizojnë dhe studiojnë shkaqet e kryengritjes, dhe të mundohen në qetësimin e shqiptarëve të revoltuar. Josif Bageri, rilindës i shquar duke komentuar ardhjen e tyre në Kosovë për t’i plotësuar kërkesën e qeverisë, shkruante: “Njësia (uniteti) bon forcën-/ dhe bashkimi ka fuqinë!/ cili komb kta i ka – / kurrë s’vritet vlla me vlla”!

Hasan Prishtina në Parlament i akuzonte sjelljet tepër të këqija të Xhavit Pashës kur e shtypi kryengritjen në Lumë. Udhëheqësi i kryengritjes në Lumë ishte Qazim Lika, i cili ishte në lidhje me Ismail Qemailin dhe Hasan Prishtinën. Qazim Lika këtyre dy deputetëve iu tregonte për sukseset në luftën e Kaçanikut! Por mjerisht që nuk kishim një organizim të fortë dhe s’i bindeshim njëri-tjetrit, se po të merreshim vesh vëllazërisht na do t’i epnim dermën turkisë.

Përvoja e hidhur që doli nga kryengritja shqiptare e udhëhequr nga personalitetet të padijshme, krerët popullorë separatistë dhe të lidhur kush me kënd me qarqe diplomatike ballkanike antishqiptare, tregoi qartë se kishte ardhur koha e fundit që timoni i kryengritjes të merrej nga një komitet revolucionar qendror gjithshqiptar, e me të cilin do të udhëhiqnin ideologët rilindës njohës të revolucionit demokratik, njohës të diplomacisë otomane e evropiane.

Realiteti historik i lidhur diktoi nevojën për formimin e organizatave të fshehta. Kështu në gjirin e klubeve Bashkimi të Vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit u formuan komitetet e fshehta për udhëheqjen e kryengritjes kombëtare. Të gjitha këto komitete ishin të lidhura me Komitetin Qendror të Stambollit. 

Delegatët shqiptarë në parlamentin turk i mbrojnë kërkesat që shtroheshin nga “Memorandumi i Shqiptarëve që kanë dalur maleve”, kërkesat e “Komitetit Qendror Shqiptar të Cetinës”,kërkesat e “Qendrës së Komitetit Shqiptar” (Shoqëria Dora e Zezë për Shpëtim) të Sofjes, kërkesat e shkruara dhe të përpunuara nga Luigj Gurakuqi dhe Ismail Qemali në “Librin e Kuq” të Gërçës së Malit të Zi, më 23 qershor 1911, dhe shumë kërkesa të tjera nga komitetet revolucionare të fshehta.

Delegatët shqiptarë kurrë nuk hoqën dorë nga kërkesat e popullit shqiptar, nga e drejta për t’i mbrojtur liritë e garantuara me Kushtetutën e vitit 1908. 

Sipas marrëveshjes në mes të Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, ku ishte paraparë një takim me disa personalitete të dalluar aso kohe, kombëtarisht më të zgjuar si Mufit be Libohova, Esat Pashë Toptani, Aziz Pashë Vrioni, dhe Sylejman Be Vlora, kjo u realizua më 12 janar 1912, në vendin e quajtur Pera Palace (hotel në Stamboll). Në këtë takim u vendos që të thirret një takim me i zgjeruar në shtëpinë e Syreja be Vlorës. Ky takim në histori quhej me emrin Komploti i Taksimit. Në këtë Komplot ishte i pranishëm edhe intelektuali Bedri be Pejani procesmbajtës, Mustafë Arsim Kruja dhe disa të tjerë.

Liderët shqiptarë morën vendim që në pranverë të organizohej përsëri kryengritja e armatosur me karakter të përgjithshëm shqiptar, për  t’i dhënë fund politikës turke.

Komploti i Taksimit, kishte rolin vendimtar në kryengritjen e përgjithshme për pavarësinë e Shqipërisë e posaqerishtë  për Kosovën sepse ky vend se paku që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk kishte qytet e fshat që nuk kishte përjetuar tmerrin e terrorin e ushtrisë turke.

Të besuarit e Taksimit morën këto detyra: Hasan Prishtina do të përgatisë fillet e kryengritjes në Kosovë, Ismail Qemali do t’i sigurojë 10.000 napolona dhe 15 mijë pushkë në Evropë. Esat Pashë Toptani do ta organizojë fushë-betejën në Vilajetin e Shkodrës, kurse Myfid Beu, Aziz Pasha dhe Syreja Beu do ta organizojnë kryengritjen në Vilajetin e Manastirit dhe Janinës. Meqenëse të pranishmit u betuan se “Mundeni me qenë të sigurt se kemi me krye detyrën tonë”, e ardhmja do të tregojë se asnjëri nuk do t’i qëndrojë plotësisht besnik betimit të Taksimit e posaçërisht Esad Pashë Toptani.

Pas shpërndarjes së Parlamentit turk, më 18 janar 1912, xhonturqit hapën fushatën e zgjedhjeve dhe u përpoqën t’i mashtronin popujt në mënyrë që të siguronin shumicën në Parlamentin e ri. Pas shpalljeve të zgjedhjeve të reja për anëtarët e Komplotit të Taksimit ishte koha ta lënë Stambollin, ata kaluan në tëren për t’i plotësuar detyrat e marra më parë. Hasan Prishtina u kthye në Kosovë në krye të detyrës revolucionare patriotike për ta evituar copëtimin e serishëm të viseve shqiptare nga aleatët ballkanikë të ndihmuar nga Evropa shtrigë për popullin shqiptar. Aleanca Ballkanike dhe pansllavistët rusë popullit shqiptar po i përgatitnin një teror të ri dhe shumë të përgjakshëm e trishtues.

Hasan Prishtina duke i parë përbindëshit e ri, fitimi i autonomisë së Shqipërisë në rrethanat ekzistuese ndërkombëtare ishte e mundshme një bashkëpunim luftarak me Lëvizjen maqedonase “në bazë të një programi autonomist për një shtet shqiptaro-maqedonase”. Për këtë qellim Hasani u takua me ish deputetin otoman Pavlof. Mirëpo, meqë Lëvizja maqedonase ishte e varur nga Sofja, Pavlof duhet të merret vesh me Komitetin Maqedonas në Sofje, pas bisedës në Sofje iu përgjigj Hasan Prishtinës se bullgarët nuk mundeshin kurrsesi për të marrë pjesë me një kryengritje me shqiptarët. Në Shkup, Hasan Prishtina bëri përpjekje me Anglinë, por Anglia nuk ishte e interesuar për çështje ballkanike por as kundër.

Austro-Hungaria, në përkrahjen e së cilës llogaritej mjaft, që prej fillimit ishte kundër kryengritjes, madje u orvat ta pengonte.

Vjena, u komunikonte krerëve shqiptarë dhe komiteteve të fshehta se qëllimi i tyre ishte që të ruhet gjendja ekzistuese në Ballkan. Monarkia danubjane ishte kundër kryengritjes edhe nga shkaku se Serbia dhe Mali i Zi, orvateshin t’i përfitonin krerët e Lëvizjes Shqiptare në Kosovë. Ndryshe nga Mali i Zi, Serbia ishte e gatshme që t’i furnizonte shqiptarët me armë.

Këtu shtrohet vetvetiu pyetja: për ç’arsye qeveria serbe vendosi ta ndihmonte kryengritjen me armatim kur dinte mirëfilli se synimi imediat i Lëvizjes Shqiptare ishte krijimi i një shteti të pavarur, aspiratë kjo që nuk u përgjigjej planeve ekspansioniste të borgjezisë serbe për të dalë në detin Adriatik e për t’u lidhur kësodore me tregjet e Evropës Perëndimore.

Fushata zgjedhore i dha shkas acarimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe Qeverisë së Stambollit. Hasan Prishtina qe më herët në parlamentin turk kishte potencuar virtytet e shqiptarëve ku thoshte: “Shqiptari as bëhet as s’është bërë kurrë vegël e të jashtmet për të shkelur ato që dëshiron të këtë” …

Siç dihet Hasan Prishtina nuk shkoi në parlamentin e ri edhe pse ishte i zgjedhur përsëri deputet. Arsye e mos shkuarjes ishte angazhimi i tij në përgatitjen dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912. Hasan Prishtina, gjatë bisedës që kishte pasur me kryekonsullin austro-hungarez në Selanik kishte theksuar se zhvillimi i idesë kombëtare në trevat shqiptare e posaçërisht në veri të Shqipërisë, është si pasojë e shkaktuar nga masat e Turqisë, shtypja barbare dhe nga mosmbajtja e fjalës.

Gjatë prillit, Hasan Prishtina duke përdorur institucionin e besës shqiptare, u lidh me shumë krerë popullorë të Kosovës dhe Maqedonisë. Gjithashtu mbante lidhje me aktivistët e besatuar nëVilajetin e Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe në kolonitë shqiptare. Kjo shihet nga letra e Fuad Toptanit për Sotir Kolen në Nicë, më 3 prill 1912, ku thuhej se “Hasan be Prishtina na lajmëron se gjithë Kosova ashtë në valë e sipër.”

Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri etj të prirë nga Hasan Prishtina punonin me nxitim në organizimin dhe bashkimin e forcave kryengritëse. Përgatitjet e kryengritjes në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut shkonin shumë ngadalë, kurse Nexhib Draga kishte filluar të frikësohet dhe ishte gati të shkelte betimin e dhenë. Kjo situatë e krijuar kërkon një bashkëpunim më të madh të gjithë shqiptarëve në botë, kërkohej sakrificë duhej bamirësi, duheshin armë, municion bukë për kryengritësit. Organizatat kombëtare shqiptare në Itali, Bullgari, Rumani dhe në Amerikë që ishin të lidhura me Komitetin Qendror të Nicës, në saje të ndihmës materiale të mërgimtarëve shqiptarë dhe shitjes se magazave në Shkup nga pronari Hasan Prishtina u siguruan të hollat për fillimin e kryengritjes.187 

Kryengritësit e Malësisë së Gjakovës, Hasit dhe të Rekë së Keqe, më 21 prill 1912, në fshatin Krumë mbajtën një mbledhje me emri: Kuvendi i Katër Bajraqeve. Logu i burrave në Krumë me në krye Sali Hoxhën dhe Th. Pollo zgjodhën 20 krerë që formuluan kërkesat prej dhjetë pikash, siç ishin: kthimi i armëve të marra, shërbimi i ushtrisë në vend, hapja e shkollave me shkrim shqip, ngritja e flamurit shqiptar, njohja e gjuhës shqipe nga nëpunësit, shpallja e amnistisë së përgjithshme, kompensimi për dëmet.

Turqia u mundua ta pengojë këtë aksion me ndërmjetësimin e bejlerëve e hoxhallarëve, kurse ushtria  përgatitej për aksione. Emisari turk Riza be Kryeziu u takua në Krumë me kryengritësit për t’i bindur që të shpërndahen, i porositur nga qeveria turke, por nuk pati suksese në këtë udhëtim. Menjëherë pas dështimit të bisedimeve të Krumës, kryengritësit e katër bajraqeve dhe 500 malësorëve të Shalës dhe të Shoshit vendosën të sulmojnë Gjakovën. Më 10 maj 1912, Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zog Avdyli, Zefi i Vogël, Pjetër Coli, Bajram Mani, Ali Binaku, Qerim Binaku, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, sulmuan Gjakovën. Luftimet zgjatën tri ditë e net por kryengritësit nuk arritën qëllimin, në anën tjetër aksioni bëri jehonë të fuqishme dhe i dha kryengritjes një impuls të fortë.

Më 5 maj 1912, Hasan Prishtina së bashku me kushëririn besnik Zejnulla begun, doli në Drenicë, në veshje të kryengritësve, dhe prej andej nëpërmjet të Ahmet Delisë njoftoi nënprefektin e Kazasë së Vushtrisë dhe me letër njoftoi Nexhib Dragën në Mitrovicë se po e ngrehin sot flamurin për një kryengritje gjithë popullore kundër sundimit turk.

Ndërsa në letrën e dytë të cilën e dërgoi Ahmet Delia i Prekazit Hasan Prishtinës njoftoi Nexhib Dragën se i shpalli luftë Turqisë, dhe dha zëdhënien për një kryengritje gjithë shqiptare. Edhe pse e dintë se Nexhib Draga ishte i lidhur ekonomikisht me Serbinë u njoftuar. Por Nexhib Draga nuk ju përgjigj thirrjes. Kështu, Isa Boletini me disa bashkëluftarë më 16 maj 1912, iu bashkua Hasan beut në Prekaz të Drenicës, kurse me 17-20 maj u benë besëlidhjet shqiptare të Llapushës (Prekorupë), Podgur të Rekës së Gjakovës, të Rekës së Allagës.

Hasan Prishtina me 200 pushkë hyri në Prekaz te Ahmet Delia ku u tubuan krerët e Drenicës dhe kërkuan të përsëritet besa e dhënë. Në të gjitha Kuvendet e Besëlidhjes u bë betimi për luftë mbi bazë të tekstit të betimit të hartuar nga Hasan Prishtina. 

Besa u lidhë me këto fjalë: “Bajmë be e japim besën e burravet, se kemi me ba çfarëdo fije e në kjoft nevoja kemi me i ba kurban me duar tona robet e femit tanë”.

Në Gjurgjevik, te Sadik Rama, u përsërit besa, mandej kaluan në Pozhar. Fuqia e popullit u shtua dhe arriti të ngrisë në këmbë një kryengritje të fortë. Me kryengritjen u bashkuan pjesa më e madhe e krerëve, por ata nuk ishin të lidhur njëri me tjetrin sa duhej. Në njërën anë bejlerët dhe çifligarët e mëdhenj shikonin interesat e ngushta klasore dhe nuk deklaroheshin lehtë për kryengritje, ishin për marrëdhënie të mira me pushtetin turk. Një dorë tjetër e krerëve mbajti të njëjtin qëndrim sikurse në vitin 1910, qëndrim luhatës dhe të pavendosur ndaj kryengritjes së përgjithshme e cila kaloi në tradhti të hapët. Kjo i referohet edhe Sylejman Botushës i cili nuk e pa të udhës të merrë pjesë në luftën e Gjakovës. Në anën tjetër Sadik Rama i Gjurgjevikut e filloi luftën me vonesë, ndërsa i madhi Bajram Curri qëndronte ende në Shkup.

Takimi në prill 1912 në mes Sadik Ramës, Qerim Begollit dhe disa krerëve të Gjilanit e Vushtrrisë në Prishtinë, për temë kryesore pati çështjet e kryengritjes. Në anën tjetër konsulli serb Milojeviq orvatej ta shtynë fillimin e kryengritjes. Ai arriti të kontaktoi edhe me Sadik Ramën. Sadik Rama mori edhe disa pushkë nga konsulli serbë. Kështu u lidhë marraveshtja që lufta në anën e Llapushnikut të fillojë sipas porosive të konsullit serb. Këtu qëndroi arsyeja që të vonohet  ndihma e planifikuar kryengritësve në anën e Istogut. E gjithë kjo nuk e pengoi veprimtarinë e udhëheqësve të kryengritjes në realizimin e lidhjes së besëlidhjeve ndërmjet rajonave të Kosovës dhe më gjerë. Vendimi për besëlidhjen kryesore u muar njëzëri, në KUVENDIN E JUNIKUT, me 21-25 maj 1912. Aty u nënshkrua betimi dhe u muarr vendimi për kryengritje të përgjithshme deri në fitore të plotë.

Juniku ishte vend historik, ku gjithmonë u bashkuan dhe e lidhnin besë Peja e Gjakova kundër pushtuesve të ndryshëm ashtu edhe kundër pushtuesve osman. Juniku në këtë kohë kishte afërsisht 700 shtëpi me 800 familje. Banorët e Junikut kryesisht  merreshin me bujqësi, blegtori, tregti lëkurash, leshi, pylltari etj.

Në Junik prej objekteve të trashëgimisë kulturore ishinë objektet sakrale kishtare kishte vetëm themelet e kishës katolike e cila ishte rrënuar  më herët, por që dokumentohet se ishte kishë katolike shqiptare. 

Prej objekteve sakrale islame në Junik ishin të ndërtuara dy xhami me dy mejtepe. Njëra xhami ishte në lagjen e Qokut që mendohet se është shumë e vjetër, apo e ndërtuar disa kohë para xhamisë së Hadumit në Gjakovë. Juniku në prag të Kuvendit kishte katër dyqane, një mbathtar, dhjetë mullinj bloje, pesë vajavica për shkeljen e zhgunit dy sharra që funksiononin me anë të ujit. Fshati kishte një arkitekturë tipike shqiptare, me kulla dy katëshe dhe tri katëshe për banim familjar por që u përdorën edhe si mbrojtje nga sulmet e armiqve.

Duke parë rendësinë e Kuvendit, krerët e Junikut i bënë të gjitha përgatitjet e duhura për një Kuvend ku do të thotë të nënshkruash një betim “liri a vdekje”. Hasan Prishtina me të arritur në Junik, u takua me krerët e Junikut në Odën e Junikut, ku u prit nga plaku i Odës Avdyl Hoxha, Bajraktari i Junikut, Beqë Hajdari, Ahmet Haliti, Zenun Musa, Sadri Isufi, Brahim Sadiku, Ahmet Haliti, Rrustë Zeqiri, Abaz Zenuni, Avdyl Shala, Islam Avdia, Demë Isufi, Kadri Hasani, Selim Imeri, Lah Selimi e shumë burra të tjerë nga Juniku dhe Reka. Hasan beu, duke pa gatishmërine e këtyre burrave ishte edhe më këmbëngulës në vazhdimin e organizimit të kryengritjes gjithë shqiptare.

Hasan Prishtina me qëllim që të lidhte për kryengritje edhe krerët e luhatshëm që ishin të lidhur me qeverinë e Serbisë si Riza be Gjakova dhe beglerët nga dera fisnike e Mahmut Zajmëve të Pejës i thirri të marrin pjesë në Kuvendin e Junikut.

Thirrjes së Hasan Prishtinës të nesërmen iu përgjigj Riza Begu i biri i Murteza Pashës, i cili erdhi në Junik. Më vonë arriti edhe Hasan Ferri me pari të Plavës e Gucisë. Nga Vokshi i Madh arriti Sali Zenuni, por që aktivitetin e tij ishte i dënuar nga Qeveria turke me dënim të përjetshëm por  më vonë ishte falur. Këtë dënim e kishte fituar pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit. 

Me Sali Zenunin ishin edhe Hysen Mazrreku dhe Sylejmon Lokaj e shumë burra të dalluar nga Vokshi.

Hasan Prishtina, ishte i vendosur në familjen e dalluar të Junikut në Lagjen e Berishës, në shtëpinë e Sali Bajramit në gjirin e Hykasmonëve. Së bashku me te ishin edhe Ramë Binaku e Zeqir Halili.

Gjatë këtyre ditëve, fshatrat e Rekës së Keqe dhe tërë Malësia e Gjakovës, ishte përfshirë nga një presion. Presion në fjalë ishte rezultat i zgjedhjeve. Ahmet beu pat filluar ta turbullojë e t’i kërcënohet Gjakovës me rrethinë.

Më herët malësorët patën filluar të kërkonin që të mësohet gjuha shqipe në shkollat e shtetit. Zeqir Halili para se të mbërrijë në Junik i kishte pri kësaj kërkese. Juniku për një kohë të shkurtër u bë vend takimi i të gjithë atyre që munden dhe kishin aftësi ta përfaqësojnë popullin e Kosovës dhe aspiratat e tyre.

Bajram Curri, Isa Boletini, Nexhip Draga, Hasan Aga, Zejnullah Vuçiterni, Ibrahim Deva, Sylejman Batusha pranuan thirrjet e Hasan Prishtinës dhe të popullit shqiptar dhe arritën në Junik, por me pak vonesë. Me të arritur në Junik, këta u njoftuan nga Hasan Prishtina me gjendjen  në Kosovë dhe rrjedha e punës për përgatitjet e Kuvendit të Junikut. Kurse njoftimin për masat e ndërmarra për mirëvajtjen e punës së Kuvendit i dha Avdyl Hoxha në emër të parisë së Junikut. Duke i dëgjuar këto informata, Bajram Curri iu drejtua Hasan Prishtinës më këto fjalë: “Duhet t’i dalim zot të drejtave tona e të pshtojmë prej robnisë”.

Në Odën e Junik u zhvilluan edhe shumë  takime, konsultime, propozime rreth programit që do të paraqitej në këtë Kuvendin Kombëtar. Gjatë këtyre takimeve dhe thirrjeve për Kuvend, kishte mospajtime ndërmjet udhëheqësve, si Bajram Curri me Hasan Prishtinën. Bajram Curri kërkoi nga Hasan Prishtina, pse nuk ishte lajmëruar gjatë qëndrimit të tij në Shkup, rreth përgatitjeve të Kuvendeve rajonale dhe Kuvendit të Junikut. Hasan Prishtina ishte shumë i kënaqur me prezencën e Bajram Currit në Junik dhe në të qeshur iu përgjegj “shka kishe me bo, kur ju pashë se kishit lidh mjaft miqësi me Xhemjetin”. Kurse Bajrami si plak i maleve, iu përgjegj “Jamë shqiptar, nuk kamë menduar kurrë veç si shqiptar e këtë ka për ta provua koha”. Avdyl Hoxha, plaku i Odës duke pa se fjalët e udhëheqësve të LKSH nuk shkojnë në dobi të lëvizjes u inkuadrua në bisedë duke thënë: “Çka janë këto fjalë, ju lutemi e tërë shqiptaria është duke ju besuar në udhëheqjen e luftës për çlirim, fjalët do t’i lamë pas fitores kundër turkut, dhe armiqve të brendshëm.203) Hasan Prishtina si prijes i vërtetë, ishte mjaft i kënaqur se Bajram Currin do ta kishte afër vetës e bashkë me te edhe  tërë Malësinë e Gjakovës.

Në Junik gjatë një periudhe të shkurtër kohore u tubuan 250 përfaqësues nga të gjitha anët e Vilajetit të Kosovës, me përjashtim të rrethinës së Shkupit e Gjilanit. Porta me shkrim kishin suspenduar pajtimin me të gjitha vendimet që do të merren në Kuvendin e Junikut. Në Junik ishin dy përfaqësues të Dibrës, dy nga Shkodra si dhe Ker Sadria, Sali Rama, Zhujë Selmani, Hys Selimi me çetën e Rugovës. Aty përveç Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Isa Boletinit, Idriz Seferit ishte edhe Sali Hidri, Mahmut Zajmi, Xhemal Agushi nga Prishtina, Zejnullah Vuçitërrni dhe Ahmet Maxhuni (Vushtri), Zefi i Vogël, Hasan Hysen Budakova, Sadik Rama i Gjurgjevikut, Ramadan Shabani (Prekorup), Qerim Begolli, (Pejë), Sejdi Saku, Bardh Isufi, Lul Gjoci, Isuf Veseli (Podgur), Haxhi Bajraktari (Lugi i Baranit), Hajdar Tafa, Nimon Bala (Isniq), Sadri Azemi, Idriz Zeqa (Strellc), Riza bej Kryeziu, Ahmet Beu, Osmon aga i Rashkocit, Metë Ali Pozhari, Demë Isufi, Bajram Hasani (Voksh), Zeqir Halili, Ibrahim Hoxha, Bajram Mani (Malësi), Bajram Nimani (Krasniqe), Halil Bajraktari, Brah Alia, Bajram Sylajmani (Gash), Rexhë Bajraktari, Elez Hoxha (Has), Nexhip e Ferat Draga, Hysë Ferati (Mitrovicë), Jahja Doda me bajraktarët e Lumës dhe Hasan Feri me bajraktarë. Sylejmon agë Batusha, ndërkaq kishte kaluar hapur në anën e regjimit xhonturk, Jakup Ferri, Avdulla Hoxha, Shaban Binaku, Zeqir Halili, Isuf Bardhoshi, Mehmet Uka, Haxhi Rrust Kabashi, Musa Shehzade, Smail Rahoveci e shumë atdhetarë dhe luftëtarë.

Është e sigurt se në kuvend ishte i pranishëm edhe sekretari i Ismail Qemalit, por emrin nuk ja dimë. Shqiptarët e anës së Shkupit dhe të Gjilanit siq e cekëm më lartë për pamundësi të marrin pjesë në Kuvend, dërguan letra, me të cilat pajtoheshin me vendimet që do të merrte kuvendi.

Udhëheqësia e LKSH, dhe paria e Junikut kishin një mendim se nëse në Junik nuk do të mundeni ta realizojnë qëllimin, Shqipëria do të bjerë në atë gjendje që gjinden turqit e fushës.Në takimet para Kuvendit, Bajram Curri tha: “Të luftohet me një Perandori e të fitohet lufta duhet pasur shumë gjera e sidomos armë, municion e të holla”. Kurse Hasan Prishtina mendonte se nëse nuk mundemi të ngrihemi apo të luftojmë pse nuk kemi pushkë e të holla, do të thotë të bëhemi sikurse turqit e shtypur. Me këtë mendim ishte edhe Bajram Curri duke shtuar se është detyrë e shenjtë për ne të luftojmë kundër çdo armikut dhe të mos kemi as pushkë e municion e të holla. Pra, duhet t’i dalim zot të drejtave tona e të largohemi prej shtypjes dhe robërisë shekullore. Këto ishin bisedat që  zhvilloheshin në takimet para mbajtjes së Kuvendit të Junikut, mënyra si duhet realizohet kryengritja deri në fitore. Në saje të ndikimit të Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit dhe përgatitjes së mirë të kushteve për mbajtjen e Kuvendit nga Paria e Junikut, Kuvendi i Junikut ishte i gatshëm të zhvillojë punimet në shenjë të bashkimit të forcave kryengritëse, të unitetit të krerëve shqiptarë dhe të pajtimit të përgjithshëm të gjaqeve mes fiseve (gjë qe e kishte traditë Oda e Junikut), të përfitimit të disa krerëve, të cilët deri atëherë ishin të lidhur me Portën. Disa krerë si Paria e Pejës, Zenel Begu, Sefedin Begu e Jashar Pasha, jo vetëm që nuk ishin të interesuar dhe nuk shprehën ndonjë vullnet të mirë, por në fsheftësi të madhe filluan propagandën kundër  Kuvendit dhe me çdo kusht mendonin përdhosjen e tij. “Zotrinjtë” e Pejës ushtruan ndikim edhe të Riza be Gjakova. Pra, qëllimi i tyre dhe ai turk ishte që në mesin e pjesëmarrësve të Kuvendit të Junikut të mbillej përçarja dhe të siguroheshin sa më shumë përkrahës të politikës turke. Për këtë arsye mytesarifi i Pejës dërgoi në Junik komisionin e paqës (i ashtuquajtur) të cilin e përbenin kryesisht bejlerët. Ardhja dhe qëndrimi i tyre në Junik, ishte e lidhur me propagandën e tyre që sa më shumë ti bindin pjesëmarrësit e Kuvendit të Junikut që të hyjnë në bisedime me Qeverinë turke se është në të mirë të popullit shqiptar dhe të heqin dorë nga fillimi i kryengritjes së përgjithshëm gjithëshqiptare. Mirëpo, misioni i tyre nuk pati kurrfarë suksesi, sepse u pritën shumë ashpër nga udhëheqësit e kryengritjes dhe nga vet popullata.

Duke parë qëllimin e tyre, sipas vendimit të Kuvendit ata u izoluan nga forcat e fshatit të cilët kishin për  obligim sigurin që puna e Kuvendit të zhvillohet pa pengesa. Këta persona u mbajtën peng në kullën e Avdyl Shalës disa ditë. Pas misionit të pasuksesshëm të krerëve që u dërguan në Junik, repartet e garnizonit të Prizrenit dhe të Gjakovës u obliguan me çdo kusht ta pengojnë punën e Kuvendit, bile edhe t’i arrestojnë organizatorët kryesorë të kryengritjes.

Duke e parë situatën e krijuar, junikasit i caktuan rojet për sigurimin dhe mirëvajtjen e punimeve të Kuvendit, së bashku me forcat kryengritëse bllokuan çdo hyrje në Junik. Forcat turke u ballafaquan në rezistencë të fortë, rezistenca më e fortë u bë në hyrje të fshatit në vendin e quajtur Gurthi, ku kryengritësit bënë rezistencë të fortë dhe u shkaktuan humbje të mëdha armikut që arriti nga garnizoni i Gjakovës. Në këto luftime u dallua heroizmi i banorëve të Junikut, të cilët edhe këtë herë sikurse shumë hera tjera tregoi vendosmërinë në rrugën për çlirim nga armiku.

Puna e Kuvendit u zhvillua nëpër Odat e kullave të Junikut, pa asnjë pengesë, u hartua  plani për aksionet e armatosura dhe u fiksua programi i kryengritjes aprovuar  në “Komplotin e Taksimit”.

Prej 21 majit e deri më 25 maj 1912, vazhdoi punimet Kuvendi i Junikut në Odën e Junikut, në një organizim dhe sigurim të mirë nga ana e Avdyl Hoxhës dhe parisë së Junikut. 

Gjatë kësaj pune pesë ditore u hartuan kërkesat e kryengritësve në gjashtë pika. Këto kërkesa ishin të njëjta me ato të vitit 1911 të shkruara në Librin e Kuq të Gërçës në 12 pika të cilat ishin reduktuar nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Reduktimet u përkrahën njëzëri nga të gjithë të pranishmit në Kuvendin e Junikut. Kjo ishte një dëshmi se u sigurua kontinuiteti i programit politik kombëtar i kryengritjes shqiptare nga viti 1908.

Më 25 maj 1912, Kuvendi i Junikut sipas planit paraprak i mbaroi punimet. Në tubimin e madh që e organizuan banorët e Junikut ku ishte vendosur të publikohen vendimet e Kuvendit te “Verrat e Gjotës”, vend i vogël për atë masë të popullit që ishin bashkuar. Në këtë tubim morën pjesë një masë e madhe e popullatës të ardhur nga të gjitha viset shqiptare. Kërkesat e kryengritësve që ishin edhe të popullit u lexuan për herë të parë nga Hasan Prishtina, i cili tha: “Kërkesat që do t’i lexoi janë kërkesa të dalura nga Kuvendi i Junikut dhe të përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit e popullit shqiptarë që morën pjesë në Kuvend dhe atyre që nuk kanë mundur të jenë prezent po që më herët janë deklaruar pro kërkesave”.

Kërkesat e këti Kuvendi janë:- Caktimi i kufijve të Shqipërisë,- Krijimi i një administrate shqiptare,- Ngritja e flamurit kombëtar,- Njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare,- Caktimi i një guvernatori të përgjithshëm, që do të zgjidhet nga një familje e njohur e vendit, dhe qe- Plotësimi i këtyre kërkesave të garantohen nga fuqitë e mëdha.

Këto kërkesa kishin formën e Memorandumit, i cili i kishte shtruar qartë qëllimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Me gjithë pengesat shqiptarët u përpoqën të realizojnë ëndrrën e vjetër të tyre.

Kërkesat që u formuluan në Kuvendin (besëlidhjen) e Junikut, e që u lexuan nga Hasan Prishtina u pranuan me duartrokitje të madhe dhe me thirrje për liri. Në shenjë të suksesit u organizua një festë e madhe, nga të gjitha anët dëgjohej kënga, hidhej vallja, nga luftëtarët organizohet qitja në shenjë dhe shumë lojëra të tjera të traditës shqiptare.

Kërkesat që dolën nga Kuvendi i Junikut, ishin të nënshkruara edhe nga Ismail Qemali, e pastaj edhe të botuara në gjuhën shqipe, frënge, italiane e turke. Këto kërkesa nuk gjetën përkrahje në pjesën turkomane të parisë shqiptare. Teksti në formë memorandumi iu dorëzua Qeverisë turke dhe konsujve të fuqive të mëdha në Shkup.

Nëpërmjet shtypit shqiptar u njoh edhe opinioni i vendit me këto vendime.Për kërkesat e Besëlidhjes së Junikut shkruar gjër e gjatë edhe këto gazeta: “Liri e Shqipërisë”, “Dielli”, gazeta turke “Xhon Turk”, ajo greke “Amerolipos” që botohej në Stamboll si edhe “Koha” në Korçë. Artikulues i të gjitha kërkesave të kryengritjes në Kosovë, në frymën e Besëlidhjes së Junikut ishte Hasan Prishtina, i cili lëshoi një proklamatë në gjuhën turke dhe në gjuhët tjera drejtuar shqiptareve liridashës dhe botës së kulturuar ku thuhet: “Sot Shqipëria Veriore dhe Jugore i kapi armët, për të fituar më anë të kryengritjes të drejtat tona të garantuara. Pas të gjitha përpjekjeve tona, që të sigurohen të drejtat tona ligjore, nuk na mbeti rrugë tjetër pos armëve. Është momenti kur po vendoset fati-vdekje ose liri e Shqipërisë.” Mbledhja e Junikut përfundoi me direktivën që shqiptarët e të gjithë sanxhaqeve të sulmojnë qytetet e tyre, në radhë të parë Pejën.

Mirëpo për t’i dhënë publicitet kërkesave dhe një jehonë me të gjerë kryengritjes, pranë emrit të vet Hasan beu e vinte emrin edhe të Nexhib Dragës. Këtë veprim politik ai e bënte për dy qëllime: e para që ta komprometonte Nexhib Dragën para pushtetit turk, dhe ta lidhte për kryengritje dhe e dyta, Nexhib Draga i biri i Ali pashë Dragës i cili kishte merita për sukseset e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, gëzonte një autoritet në Kosovë e Maqedoni, ishte i lidhur me qarqet anti-turke të Maqedonisë dhe bullgarisë dhe me qarqet diplomatike serbe.  anën tjetër vëllai i vogël i Nexhipit Ferat Draga bënte lidhje me Komitetin Ballkanik të Londrës dhe me socialdemokratet e Ballkanit të njohur me emrin “Vllaznit e kuç”. Për këtë Hasan Prishtina donte të përfitonte nga kjo lidhje e Nexhib Dragës, i cili nuk do të merrte guxim ta shpallë vetën të papërzier në kryengritje sepse do të komprometohej para shqiptareve të përgjakur kohë më parë me turqit.

Në frymën e Kuvendit Kombëtar të Junikut, Hasan Prishtina botoi një, “Shpallje”, ku paraqitej lufta për autonomi si lufta kundër masakrave, shtypjes dhe administratës antishqiptare xhonturke, dhe ftoheshin të gjithë ta përkrahin luftën shqiptare për çlirim, sepse: “Atdheu pret prej nesh bashkimin, dita a sot e minutat janë afrua për ta pshtuar prej të këqijave të jeune-turqve, a shpëtim a vdekje”.

Më 26 maj 1912, herët pa zbardhur drita, krisi pushka kundër pushtuesve turq. Ende pa u shpërndarë delegatët nga Juniku, filloi kryengritja e armatosur në shumicën e viseve të Kosovës. Shtypi i kohës shkrunte: “Filloi të rrjedhë gjak i ri në Junik, Gjakovë, Pejë, Prizren, Lumë, Guci, Shkodër, Prishtinë e në të gjitha trevat shqiptare”.

Gati në të gjitha gazetat e kohës , shkruente se kryengritja shqiptare kishte filluar. Gazeta “Shkupi” informonte se: “kryengritja është në tërë Gegërinë, dhe se po zgjerohet me të madhe në viset tjera, krahas luftës po tubohen edhe të holla për lëvizjen e Shqipnisë”.

Forcave kryengritëse që ishin në Junik iu bashkuan edhe kryengritësit nga Reka e Keqe, Malësia, Vokshi. Së bashku me forcat kryengritëse të Pejës  (afër 2000) u vendosën në Strellc të Epërm. Qëllimi i vendosjes në Strellc ishte kundërvënja forcave turke që ishin të vendosura në kazermat e Pejës. 

Në Strelc u krijua qendra e kryengritjes, populli i cili filloi masovikisht ti afrohet kësaj qendre dhe ta mbeshtesë. Forcat kryengritëse për një kohë të shkurtër vendosën kontrollin e tyre në rrethinën e qytetit të Pejës. 

Shqiptarët sulmuan Pejën. Luftimi u bë gjithë natën e së shtunës.Të nesermën nga ora 21 deri 23 shqiptarët sulmuan përsëri Pejën. Gjatë këti sulmi nga Gjakova urgjentisht u dërguan në Junik 4 batalione dhe 4 topa, në Baballoq 6 batalione dhe 6 topaIshte edhe njëtentativ e komandantit të Korpuesit të VII-të, Ismail Fazli Pasha  ti bind shqiptarët, ku propozoi kryengritësve të mbledhur në Junik që të shpërndaheshin brenda 48 orëve nëpër fshatra, kryengritësit e lanë Junikun dhe shkuan drejt Pejës, duke kaluar pranë Deçanit, përmes Isniqit dhe Strellcit. Gjatë kalimit kryengritësve ju bashkua edhe Iljaz Aga, i biri i Kadri Beut, Sejfulla Beu dhe Sefedin Beu, kreu i qytetit. Me kryengritësit u bashkuan edhe delegatët e qeverisë Riza Beu dhe Bajram Curri, që morën përsipër komandimin e kryengritësve. Për ti ndihmuar shqiptarët që kaluan nga Juniku në Pejë nisën të shkonin shqiptarë nga Mitrovica, Plava, Gucia dhe Rugova. Nga fisi i Gashit, murën pjesë në kryengritje vetëm malësorët e jo edhe prisi i tyre Sylejman Batusha i cili kaloi në anën e turqve. Armiku përdori edhe mjete materiale për ti berë për vehti edhe bajraktarët me pak peshë. 

Valiu Maz’har Beu në Gjakovë mbajti disa mbledhje me eprorët ushtarakë dhe me disa krerë shqiptarë , e bashkë me ta caktoi masa, të cilat edhe nëse nuk mund ta pushojnë krejt kryengritjen, të paktën ta lokalizojnë. Valiu beri thirrje kryengritësve që të ktheheshin nëpër fshatra e tyre e të nisin punët. Shqiptarët thirrjes së Maz’har Beut iu përgjigjen me një sulm kundër kampit në Gjakovë natën e 24 majit, nga zjari i armëve u plagosën katër këmbësorë.

Gjatë kësaj kohe në malët e Junikut u mblodhën shumë shqiptarë të armatosur nga Rugova, Hasi, Malësia dhe vilajeti i Shkodrës ku pritëshin vendimin e krerëve shqiptarë për ta sulmuar Gjakovën. Valiu Maz’har Beu për ta mbrojtur kazan e Gjakovës: në qytet vendosi 4 batalione, 8 topa fushorë, 2 topa malorë dhe 2 mitraloz, në Krumë 6 batalione, 2 topa malorë dhe 2 mitraloz, në Baballoç 1 batalion e gjysmë, 2 topa malorë dhe 2 mitraloz, në Junik 1 batalion, 2 topa malorë dhe 2 mitraloza, forca kishte edhe përgjatë rrugës Gjakovë – Prizren, dhe Qafë Morinës.

Në qytetin Pejës: ishin vendosur 3 batalione, 2 topa malorë dhe 2 mitraloza, në Strellc 2 batalione, 2 topa malorë dhe 2 mitraloza, në Carovik 4 batalione, 2 topa malorë dhe 2 mitraloz, në Istog 3 batalione, 2 topa malorë dhe 2 mitraloza, në Gurrakoc 2 batalione dhe në Isniq 1 batalion. 

Pas përgatitjeve dhe vrojtimit të situatës në  qytet, filluan sulmet e kryengritësve kundër forcave turke që ishin të stacionuara në kazermat e qytetit. Pas  një kohë të shkurtër kryengritësit arritën që të hyjnë në Pejë.

Sukseset e kryengritësve i frikësuan qarqet antishqiptare ballkanike, të cilët me të shpejtë u vunë në lëvizje. Politika e shteteve ballkanike ishte e orjentuar në zhvillimin e situatës në trevat shqiptare, me të vetmen arsye pushtimin e këtyre viseve. Shumë njësi ushtarake dezertonin dhe u bashkoheshin kryengritësveGazeta shkupjane serbe “Vardar”, shkruante në kryeartikullin e saj: “Shumë gjurullti e shumë e shumë po përmendet emëri njëfarë Shqipnie e kombit Shqiptar! A nuk e din se Shqypnia o vetëm afër kroit një copë toke, shqiptar tjetër kund s’ka dhe n’Kosovë aspak”.

Në anën tjetër udhëheqësit e kryengritjes shqiptare me anë të pendës së Ismail Qemalit, në gazetën e Sofjes “Veçernja posta”, bënë thirrje: “Bashkohuni ju shqiptarë, e ju grekë e bullgarë (Maqedoni) t’i përzam  këtë turk barbar!”.

Porta nuk i pranoi kërkesat e Kuvendit të Junikut. Për këtë, në kryengritje u çuan jo vetëm Drenica por edhe Dibra e Mati. Kurse Bajram Curri me shokë i mundi forcat turke në Krasniqe. Kryengritja shqiptare në Kosovë, sa vinte e korrte suksese, deri nga fundi i qershorit 1912 kryengritësit arritën të shtinë në dorë gati të gjitha vendet kryesore në Kosovë dhe më gjerë. Kryengritja mori hov të madh posaçërisht në qershor 1912. Në këtë periudhë vetëm në Kosovë kishte më se 30.000 kryengritës. Gjithashtu kryengritës kishte edhe në viset  tjera shqiptare. Kryengritësit shqiptar çliruan Gjakovën, Prishtinën dhe pothuaj tërë Kosovën. 

Fadil Pasha me 3 qershor 1912, pas luftimesh të ashpra në Junik, u tërhoq me forcat e veta në Pejë. Forcat kryengritëse përkohësisht u tërhoqën në Krasniqe (Malësinë e Gjakovës) dhe në malet e Rugovës. Gjatë qershorit Bajram Curri sulmoi batalionet turke në Qafën e Prushit.

Luftimet ishin të ashpra, u shpartalluan katër batalione turke dhe u zu shumë material luftarak. Fitorja e Qafës së Prushit kishte jehonën e vet shumë pozitive në tërë luftimet e kryengritësve në Kosovë. Në të njëjtën kohë grupi i “të Besëlidhurve”, i udhëhequr nga Gjeto Coku, Zef Harapi, filluan Luftën në Mirditë dhe me 29 maj sulmuan Lezhën.

Vrasjet, dhunimet, mohimi i të drejtave dhe lirive dhe dëshira për çlirim ishin shkak i ngritjes së 80 mijë shqiptarëve në kryengritje të përgjithshme. Këto ishin edhe mendimet e udhëheqësve të kryengritjes si në Dukagjin Bajram Curri, në Karadak Idriz Seferi dhe në Shalë të Bajgorës dhe në Sanxhak Isë Boletini.

Kryengritësit që vepronin në zonën  Drenicë-Mitrovicë-Podujevë-Prishtinë të udhëhequr nga Isa Boletini, Ahmet Prekazi, Zejnullah Vuçitërna, kishin krijuar një gjendje shumë të vështirë për xhonturqit. Grupi i kryengritësve në Shqipërinë e Mesme të udhëhequr nga Abdi Toptani zhvilloi luftime me repartet turke në Tiranë, Shijak, Krujë. Fitore të rëndësishme në luftën kundër turqve arritën në zonën Gjilan-Prizren-Lumë-Tetovë të udhëhequr nga Idriz Seferi, Islam Spahiu, Mehmet Pashë Drella. Ata shpartalluan Fadil Pashën dhe zunë grykat e Kaçanikut e Caralevës, duke ua ndërprerë turqve rrugën për të sjellë forca të reja.Kështu nga gjysma e korrikut 1912, kryengritësit shqiptarë kishin shtrirë veprimtarinë e tyre gati në tërë territoret shqiptare. Me 23 korrik 1912, në ditën e katërvjetorit të Kushtetutës së Turqisë, nga presioni që bënë kryengritësit dhe luftës së tyre shembullore dhe të vendosur, u ngrit kabineti i ri me Gazi Ahmet Miftarin në krye.

Por pritej edhe rënia e Parlamentit, sepse shqiptarët e kishin  detyruar qeverinë turke për atë çka kanë dashtë …Qeveria duke parë situatën e krijuar dha një urdhër përfaqësuesve të saj në Shqipëri që sot më 25.VII.1912, të ndërpriten të gjitha operacionet ushtarake kundër kryengritësve. Qeveria turke (xhonturqve) duke u gjetë në këtë situatë nuk i mbeti gjë tjetër veçse të jep dorëheqje. Ndërsa qeveria e re e posa formuar, dërgoi një delegacion të vet në Prishtinë për t’u takuar me prijësit e kryengritjes, posaçërisht me Hasan Prishtinën. 

Në këtë takim Hasan Prishtina kërkoi autonominë e cila u refuzua nga delegacioni turk. Por si kompromise pranoi memorandumin prej 14 pikash të kryengritjes shqiptare të arritur në Kuvendin e Junikut, ku përveç tjerash kërkohet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, vendosja e shqiptarëve si nëpunës në administratën dhe krijimi i fondeve për zhvillimin ekonomik të viseve ku jetonin shqiptarët.

Kryengritja përhapet gjithnjë e më tepër, kryengritësit ishin zotër të vendit, ata vepronin si të ishin të lirë në shtetin e tyre, dhe ia filluan negociatave me Qeverinë e re turke sikurse një shtet që bënë bisedime me shtetin tjetër.

Kryengritja shqiptare e verës së vitit 1912, e lëkundi nga themeli sundimin turk, edhe pse ishin të vetmuar në luftë. Në anën tjetër atyre po u përgatitej kasaphana e viteve: 1877, 78, 80, 81…

Ata ishin të dënuar që pa ndihmë të askujt t’u kundërviheshin pushtuesve të rinj dhe politikave të Fuqive të Mëdha. Ende pa filluar lufta shtetet fqinj kishin filluar politikën e tyre okupuese ndaj territoreve shqiptare.

Edhe këtë ngjarje, i pari, e pasqyroi edhe këngëtari popullor, kur thotë:

Ushton Gryka e Kaçanikut,

U mblodh paria n’odë t’Junikut,

N’Junik janë mbledhë shumë trima,

N’kam u çu Hasan Prishtina:

Merrni vesh, të bijt e Kosovës,

Sot ne mreti i Stammollës

Na ka çu’ lira e pare,

Me ja shitë votrën shqiptare.

Kanë harru i biri qenit

Se jem nipa t’skënderbegit,

Se nuk domë dukat as lirë,

Veç Kosovën e domë t’lirë

Kshtu n’Junik u muaer vendimi,

Edhe flakë në t’kallet Drini,

Le t’rrjedh gjak krejt Dukagjini,

Le të kuet krejt Kosova,

T’shemet Peja dhe Gjakova

E ta marrë vesh krejt Evropa:

Se asht lidhë besa shqiptare,

Qi n’kto troje legjendare,

Mos me shkelë thundra barbare,

Për pa dalë Kosova fare!

Lumja ti, Kosovë krenare

Ne n’kto rreze të lirisë

Çfletojmë faqet e historisë,

Bijt e tu për me i kujtu,

Qi themelin ta kanë vu.

Related posts