Seanca e Kuvendit e cila ishte paraparë të vazhdojë në orën 14:00, u ndërpre sërish pasi që nuk kishte deputet të mjaftueshëmëm në sallë, për ta vazhduar seancën.
E deputetët e pranishëm u ankuan, për mungesën e deputetëve në seancë. Deputeti i LDK-së Armend Zemaj,tha se kjo mazhorancë e brishtë, po vazhdon të ikë nga përgjegjësia.
“Kjo tash është shndërruar në rutinë ikja nga përgjegjësia e kësaj mazhorance të brishtë. Edhe vet pamja tash tregon se nuk janë të interesuar të kalojnë ligjet, qofshin ato me prioritet të caktuar sidomos këto që po thirren në përmbushjen e agjendës evropiane. Por dhe ligjet tjera me rëndësi të veçantë, pa anashkaluar dhe pjesen e debateve dhe interpelancave. GP i LDK shpreh shqetësimin me këtë gjendje dhe kjo tregon që mazhoranca nuk është e gatshme me vazhdu. Neve e lusim kryesinë, që sa më shpejtë të takohet të caktoj seancat e rregullta dhe të kërkojë përgjegjësi nga deputetët e mazhorancës nga grupet politike që e përbëjnë koalicionin qeveritar”, tha ai.
E deputeti i PDK-së Elmi Reçica tha se PDK, është e interesuar ta vazhdojë seancën dhe pa kuorum.
“Gjendja është e dukshme dhe ne po mendojmë deputetët me përqindje. Jemi të interesuar me vazhdu seancën me trajtu ligjet dhe nuk është mirë me u marrë me çështje që janë të paqena. Dje janë largu prej seancës pa arsye. Ndërsa i kanë bllokuar disa votime përfshirë dhe buxhetin e shtetit”, tha ai.Ndërkaq shefi i GP të PDK-së Memli Krasniqi, tha se nuk mund t’i mbajnë me zor në seancë, deputetët e opozitës. “Po e shihni dhe çka është me rëndësi po e shohin qytetarët që parlamenti ka vështirësi në funksionim e tij normal dhe kryesisht për shkak të sabotimit, që po ia bën opozita dhe kjo është evidente.. Kërkesa për me ndërpre seancë, është realisht kërkesë për mos me kry punë e deputeteve. Ne nuk mundemi me zor me mbajtë opozitën as këta në anëën e majt as ata në anën e djathtë. Secili deputet e ka përgjegjësinë e vet dhe është në ndërgjegjen e tij me respektu mandatin”, tha ai.
E pasi që nuk ishin të pranishëm në seancë 61 deputetë, Xhavit Haliti e ndërpreu seancën, për të shkuar në një pauzë prej 30 minutave, në mënyrë që t’u ipet kohë edhe deputetëve tjerë dhe të bëhet kuorumi.