Dorëheqja dhe largimi nga Kosova i ish-prokurorit Elez Blakaj, që po hetonte mashtrimet me listat e veteranëve ka shkaktuar një debat për numrin e saktë të ushtarëve të UÇK-së. Prokurori Blakaj kishte gjetur se mbi 19 mijë veteranë marrin pensionin në mënyrë të jashtëligjshme. Kurse disa ditë më herët ish-komandanti i përgjithshëm, Sylejman Selimi kishte thënë se UÇK-ja kishte rreth 12 mijë e 700 ushtarë.
Por, gjithë këtë debat, si të panevojshëm po e cilëson Lahi Brahimaj, ish-anëtar i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së.
Brahimaj në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se debati për veteranët po e fyen luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të gjithë ata që janë ‘pa meritë’ në listat e veteranëve duhet të vërtetohen, por ky debat nuk i bënë mirë shoqërisë tonë, sepse kështu po i lëshojmë gjërat në një tjeër rrafsh dhe në njëfarë forme po fyhet lufta e shenjtë e UÇK-së”, ka thënë Brahimaj.
Ish-deputeti i AAK-së nuk ka dhënë shifra për numrin e saktë të ushtarëve që ka pasur UÇK-ja, por është shprehur se të gjithë kanë ndikuar që të largohet nga Kosova ushtria dhe policia serbe.
Brahimaj vlerëson se ushtarët e UÇK-së bashkë me administratën ndërkombëtare, e kanë mundësuar lirinë e vendit.
“Është e vërtetë që ditëve të fundit po bëhet debat (për mendimin tim i ekzagjeruar) lidhur me numrin e veteranëve. Numri i pjesëtarve të UÇK-së ka qenë aq i madh sa me vullnetin e tyre dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar e kemi larguar nga Kosova një administratë e ushtri (polici e paramilitar) fashiste e gjenocidale. Në luftën e UÇK-së kanë qenë të angazhuar aq shumë njerëz sa me u mundësu lirinë e vendit tonë”, thotë ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Brahimaj ka kërkuar nga institucionet që të punojnë në mënyrë që ta nxjerrin të vërtetën në lidhje me numrin e veteranëve.
Ai thotë institucionet duhet ta kryejnë punën pa u ndikuar, dhe duke mos lejuar që këto tema të mos banalizohem.
“Të gjitha institucionet duhet ta luajnë rolin e vet dhe të nxjerrin ‘të vërtetën’ e cila tashmë është e qartë. Populli i Kosovës ka luftuar për t’u çliruar nga okupatori, kush me pushkë e kush me kontribut të formave tjera, por ne të gjallët duhet të respektojmë në radhë të parë, dëshmorët dhe pastaj të gjallët që kanë dhënë çdo gjë për të ekzistuar institucionet tona e të cilat duhet të kryjnë detyrën e vet, pa u ndikuar e pa lejuar që këto tema kaq të mëdha të banalizohen”, përfundoi Lahi Brahimaj.
Pas largimit të Elez Blakajt, aktakuza e të cilit nuk është dërguar ende në Gjykatë, këtë lëndë do ta vazhdojë një tjetër prokuror.
Dje kjo është konfirmuar në një konferencë për media nga Kryeprokurori, Aleksandër Lumezi.
Madje Lumezi ishte zotuar se lënda shumë shpejt do të shkojë në gjykatë, duke shtuar se mund të ketë edhe masë të përkohshme, pra që pagesat për të gjithë veteranët të ndërpriten për një kohë.
“Prokurori i ri ka siguruar prova të mjaftueshme, fakte, procesverbale dhe audio-incizime, që na bëjnë të shpresojmë se lënda shumë shpejt do të shkojë në Gjykatë”, tha dje Lumezi.
Ndryshe për shkarkimin e Kryeprokurorit të shtetit dje ishte organizuar një protestë në Prishtinë. /B.B/Lajmi.net/