970×90
970×90
970×90
970×90

Hooper: Amerika nuk është sikur në vitet 1998-1999, korrigjimi i kufijve ka rrezik

Hooper: Amerika nuk është sikur në vitet 1998-1999, korrigjimi i kufijve ka rrezik

“Populli i Kosovës duhet ta kuptojë se Shtetet e Bashkuara të ditës së sotme nuk janë Shtetet e Bashkuara të viteve 1998, 1999, 2000 e kështu me radhë. Situata ka ndryshuar”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish diplomati amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, James Hooper.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, kanë vënë në qarkullim idenë e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht dilemave nëse për një gjë të këtillë kanë mandat. Emërtimi që shfrytëzojnë për këtë ide ndryshon – njëri e quan korrigjim kufijsh, tjetri ndarje, por në parim duket se të dy flasin për ndryshim kufijsh. Sa të rrezikshme janë sot këto ide?

James Hooper: Dua të porosis fillimisht që populli i Kosovës ta shohë këtë çështje në perspektivë dhe në veçanti t’i qaset këtyre diskutimeve “me kokë të ftohtë”, me gjakftohtësi dhe pa emocione. Mendoj që është shumë e rëndësishme që të shohim rezultatin e këtyre deklaratave. Ja pse! E gjithë kjo është projektuar si debat për kufijtë, qoftë përcaktim i kufijve, korrigjim apo diçka tjetër.

Mirëpo e gjithë kjo në fakt përbën diskutim për një marrëveshje që do të ndryshojë marrëdhënien e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën dhe ndryshim në aspektin pozitiv, pra do të përmirësojë lidhjet. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj unë vërtetë dua të përçoj këtë mesazh që populli i Kosovës duhet ta mendojë mirë këtë proces, me shumë kujdes, sepse po bisedohet për marrëdhënien e ardhshme që do të ketë me SHBA-të dhe Evropën.

Radio Evropa e Lirë: Të shumtë janë ata që po tërheqin vërejtjen se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ndryshojë, pa prekur edhe Bosnjën dhe Maqedoninë. Cilat janë në fakt rreziqet?

James Hooper: Mendoj se ekziston një rrezik i konsiderueshëm, që ndryshimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, mund të ndikojë në Maqedoni dhe Bosnjë. Prandaj është kaq e rëndësishme që ta shohim këtë çështje në një perspektivë më të gjerë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i përfshirë.

Është shumë e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të tregojë përkushtim për rezultatin, për marrëveshjen që do të arrihet. Ndoshta edhe nuk do të ketë të tillë, apo ajo se për çfarë do të pajtohen palët nuk do të jetë aq e madhe sa në fakt njerëzit janë të shqetësuar. Mirëpo është shumë e rëndësishme për stabilitetin rajonal, që komuniteti ndërkombëtar ta shohë këtë çështje në perspektivë më të gjerë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet t’i shohin këto diskutime si pjesë të ristabilizimit të Ballkanit, sepse situata në Bosnjë nuk është stabile në shumë aspekte dhe gjithmonë ka brenga për Maqedoninë.

Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë pjesë e stabilizimit të rajonit dhe kjo është pjesërisht se nga janë duke shkuar bisedimet — në mënyrë indirekte. Dhe sërish, kjo duhet të jetë edhe pjesë e përgjegjësisë së udhëheqësisë së Kosovës, me mbajtjen e këtyre negociatave dhe bisedimeve.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini në takim me presidentin e Kosvovës, Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini në takim me presidentin e Kosvovës, Hashim Thaçi dhe homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë: Londra dhe Berlini e kanë thënë qartë se janë kundër çfarëdo lëvizjeje të kufijve, Uashingtoni ndërkaq thuhet të ketë zbutur qëndrimin paksa, me thirrjen që ua ka bërë të dyja palëve për fleksibilitet dhe kreativitet…

James Hooper: Mendoj se Uashingtoni me siguri ka një perspektivë ndryshe në këtë çështje, për dallim nga Berlini dhe Londra. Populli i Kosovës duhet të studiojë këtë dhe të kuptojë se Shtetet e Bashkuara të ditës së sotme nuk janë Shtetet e Bashkuara të viteve 1998, 1999, 2000 e kështu me radhë. Situata ka ndryshuar. Siç e shoh unë, kjo e vë në pah vështirësinë e Kosovës në të qenit shtet i vogël në një rajon jostabil.

Është shumë e rrezikshme në këto ditë për Kosovën që të niset drejt së ardhmes derisa është fqinje me një Serbi armiqësore. Zbutja e armiqësisë së Serbisë është e rëndësishme për Kosovën. Mbajeni në mend se sa i përket rajonit, rruga nëpër të cilën është nisur Kosova është e mbushur me plot gropa.

Kosovës i duhet gjithmonë një “ngasës” i mirë. Në këtë aspekt varet nëse populli i Kosovës i beson udhëheqësisë së vet. Ndonëse e di se ka pasur kritika për politikat e brendshme, në rastin e presidentit Thaçi, mendoj se ai i ka ofruar Kosovës udhëheqësi të mirë në çështje ndërkombëtare, andaj populli i Kosovës duhet ta ketë parasysh këtë gjë.

Radio Evropa e Lirë: Që të jemi të sinqertë, ideja e këmbimit të territoreve, ndarjes ose korrigjimit të kufirit, nuk është diçka e re, ka qenë në qarkullim tash e sa kohë nga ligjvënës të ndryshëm, vendës e ndërkombëtarë, nga analistë të ndryshëm…nëse ka diçka të re në këto ide, është se ato shpalosen si qëndrime zyrtare nga udhëheqësit më të lartë të të dyja vendeve. Pse pikërisht tash?

James Hooper: Një nga arsyet se pse mendoj që janë shqetësuar njerëzit është fakti se gradualisht rajoni ka rrëshqitur në një formë të jostabilitetit. Prandaj mendoj se ka shqetësim tek ata. Një tjetër arsye, nga ajo çfarë kam dëgjuar është se meqë zonja Mogherini [Federica] përfundon mandatin vitin e ardhshëm, ka pasur zëra se ajo do të dëshirojë arritjen e një marrëveshjeje, të cilën mund ta konsiderojë si trofe të saj. Prishtina duhet të ketë kujdes në këtë aspekt, sepse këtu mund të ketë diçka të vërtetë që zonja Mogherini të dëshirojë të mbahet në mend si ministre e Jashtme e suksesshme.

Por çfarë në të vërtetë përbën rrezik për mua është nëse arrihet marrëveshje me një njeri që tashmë është duke u larguar, sepse në rast të arritjes së marrëveshjes, palëve ju duhet një person, në këtë rast zonja Mogherini që të jetë aty për t’i siguruar se marrëdhëniet e reja [pakti] të zbatohet ashtu siç është hartuar. Nëse kjo arrihet para largimit të saj, cili do të jetë ndikimi i saj në të ardhmen?

Presidenti Thaçi duhet të sigurohet që nëse do të ketë ndonjë nënshkrim të marrëveshjes në të cilën përfshihet edhe Mogherini, atëherë duhet të nënkuptohet që marrëveshja të përkrahet edhe nga kancelarja gjermane Merkel apo persona tjerë që do të jenë aty më gjatë se Mogherini. Krejt kjo duhet të ndodhë në mënyrë që presidenti Thaçi të ketë ku të drejtohet në rast se nuk zbatohet marrëveshja eventuale.

Radio Evropa e Lirë: Gjithsesi, pse do të rrezikonin aq shumë Vuçiq dhe Thaçi? Të dy duket se janë të vetmuar, brenda dhe jashtë kufijve të tyre, në këtë rrugëtimin e tyre.

James Hooper: Ata e shohin se Ballkani nuk do të jetë i qetë, tani është një situatë dinamike. Ata e kanë kuptuar se nuk mund të shpresojnë që situata të jetë e tillë. Dua të them se nuk mund të ruhet status-quoja duke mos bërë asgjë. Kjo është një situatë dinamike dhe mënyra e vetme për të arritur stabilitet në rajon është duke ecur përpara. Kjo arrihet duke punuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe duke analizuar nëse mund të krijohet një proces që do të dërgonte gjërat tutje.

Në Kosovë ka tendencë që e gjithë kjo të shihet në mënyrë lokaliste [provinciale], do të analizohet se çfarë do të bëhet me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, cila pjesë e territorit të tyre historik, e tokës së shenjtë do të humbet dhe si do të ndikojë e gjithë kjo. Secila palë synon të përmbushë ambiciet maksimale, pa dhënë asgjë. Kjo është recetë për jostabilitet dhe rikthim të dhunës në të ardhmen në rajon. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë më të rëndësishmet në rajon.

Nuk e di cili do të jetë rezultati në fund dhe nuk mendoj se madje as vetë zoti Thaçi apo zoti Vuçiq janë në dijeni të rezulatit, ata mund të jenë duke testuar se sa janë të përkushtuara SHBA-ja dhe Evropa. Mirëpo mendoj se është e rëndësishme që kjo të mos shihet në aspektin provincial, nëse më lejohet të them.

Çfarë do të vendosja unë në plan të parë, para Bosnjës dhe Maqedonisë, është ajo nëse Kosova, si rezultat i marrëveshjes, do të pranohet në Kombet e Bashkuara. Në një rast të tillë, mendoj se ka argumente bindëse për një marrëveshje. Nëse Kosova nuk do të jetë pjesë e OKB-së, atëherë mendoj se ka pak mundësi që ndonjë marrëveshje të arrihet.

Radio Evropa e Lirë: Në prapaskenë, Rusia duket sikur ka zënë pritën. Mbase është e pritshme që ajo të shfrytëzojë çfarëdo ndryshimi të kufirit në Ballkan si legjitimim të pretendimeve të saj në Krime të Ukrainës, Transnjestër të Moldavisë dhe Abkhazi e Oseti Jugore to Gjeorgjisë. Me fjalë të tjera, a do të mund të shfrytëzohet shembulli i Kosovës dhe Serbisë si precedent për apetitet territoriale të Moskës?

James Hooper: Pyetje shumë e mirë, pasi kam pak dyshime se kjo është ajo që Moska kërkon të nxjerrë [nga ky proces] pasi ajo do të tentojë të përfitojë diçka nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesë e një mirëkuptimi më të gjerë dhe unë shpresoj se SHBA-ja do të refuzojë që t’i bashkohet kësaj.

Kjo është ajo çfarë duhet të shohë zoti Thaçi dhe të vendosë gjatë këtyre bisedimeve. Ai duhet të vendosë nëse Serbia mund të parandalojë Rusinë nga roli i saj shkatërrues e përçarës, në cilindo element përbërës të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Scaparrotti: Në Ballkan po rritet ndërhyrja ruse

Nëse Serbia nuk mund ta bëjë apo nuk dëshiron ta bëjë atë gjë, e çka në fakt duhet të jetë pjesë kyçe e dialogut në mes të zotit Thaçi dhe zotit Vuçiq, atëherë kjo e dobëson mundësinë për të arritur marrëveshje me Serbinë. Serbia duhet të tregojë se ka aftësi për të kufizuar kapacitetet e Rusisë për të destablizuar dhe për të ndërhyrnë Ballkan dhe në situatën në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Related posts