970×90
970×90
970×90
970×90

Mërgimtarët të pa informuar për pagesën online të Kartonit të Gjelbër

Mërgimtarët të pa informuar për pagesën online të Kartonit të Gjelbër

Ndonëse këtë vit institucionet kanë ndërmarrë masa lehtësuese në procedurat kufitare për mërgimtarët, këta të fundit si duke nuk janë të informuar.

KosovaPress gjatë vizitës që i ka bërë pikës kufitare në Merdare është informuar se mërgimtarët nuk po presin gjatë për të hyrë në Kosovës, por që Kartonin e Gjelbër po vazhdojnë ta paguajnë ashtu siç e kanë paguar viteve të tjera, pasi që nuk janë të informuar se me Kartonin e Gjelbër mund të pajisen edhe online.

Bashkatdhetari Sabit Berisha, i cili po vinte nga Gjermani teksa po kalonte kufirin në Merdare ka deklaruar se për mundësinë e pagesës online të Kartonit të Gjelbër nuk është i informuar, prandaj ai pagesën e ka kryer posa ka arritur në kufi.

“Mirë kemi kaluar rrugës shumë, kolona nuk ka pasur në kufi kemi kaluar shumë mirë, na kanë pritur mirë. Për pagesën e Kartonit të Gjelbër online nuk jam i informuar… Unë tani e pagova me para në dorë, 20 euro për një muaj”, ka thënë ky bashkatdhetar.

Sikurse Berisha, ashtu edhe Nderim Hiseni thotë se nuk kanë marrë asnjë informacion se Kartonin e Gjelbër këtë vit mund ta paguajnë online.

Sa i përket pritjeve, ai thotë se tri orë ka pritur në kufirin e Serbisë, por që në atë të Kosovës nuk kanë pasur telashe.

“Tri orë në Serbi, në të Kosovës jo, shumë mirë është. Për pagesën e Kartonit të Gjelbër online nuk ka na informuar askush. Tash pagova 15 euro”, ka thënë ai.

Për dallim nga dy mërgimtarët tjerët që nuk janë informuar fare për pagesën online të Kartonit të Gjelbër, Vilson Gashi thotë se është informuar me vonesë prandaj edhe ky pagesën e ka kryer me të arritur në Merdare.

“Kemi pasur informacione, por kam dëgjuar pak me vonesë dhe e mora këtu menjëherë, por kaluam shumë shpejt, mirë është. Pesë minuta pritje dhe menjëherë kalova”, ka bërë të ditur ky bashkatdhetar.

Për dallim prej mërgimtarëve që hyjnë në Kosovë e nuk presin gjatë, në pikën kufitare në Merdar të revoltuar janë ata të cilët po presin disa orë për të dalë nga Kosova pasi që i ka kryer pushimet e tyre.

Visar Nikqi i cili po kthehej në Gjermani, për KosovaPress ka thënë se për të kaluar pikën kufitare në Merdar është duke pritur afër dy orë, dhe se krahas pritjeve atë po e shqetëson edhe pandërgjegjshmëria e vetë mërgimtarëve të cilët po e tejkalojnë radhën.

Ai thotë se është informuar për mundësinë e pagesës online të Kartonit të Gjelbër, por që ai këtë obligim e ka kryer në momentin kur ka arritur në kufi.

“Jemi duke pritur qe një orë e gjysmë, por fakti që disa qytetarë të pandërgjegjshëm po kalojnë pa radhë e bënë edhe më të gjatë pritjen tonë. Policia jonë është në çdo nivel, ata po mundohen me mbajt rend por kur janë qytetarët e pandërgjegjshëm, atëherë kuptohet që ne duhet me pritë edhe më gjatë”, thotë ai, ndërsa thekson se për mundësinë e pagesës online të Kartonit të Gjelbër “e kam këtë informacion por unë e kam bërë gjatë hyrjes, nuk kam pasur nevojë me pritë.

Se bashkatdhetarët nuk janë të informuar për pagesën online të Kartonit të Gjelbër e ka pranuar edhe vetë ministri i Diasporës, Dardan Gashi, i cili ka “harruar” se është kompetencë e dikasterit që ai udhëheqë që me kohë t’i informojë mërgimtarët për këtë çështje.

“Ju e dini se ajo çka mund të bëjmë ne është të thjeshtojmë pak. E dini se është ulur tarifa e policës kufitare prej 50 euro, diku në 15 euro në mënyrë subsestive edhe që pagesa tash e tutje mund të bëhet online, do të thotë nuk ka nevojë që të dilet prej makinës dhe të pritet në radhë, do të thotë edhe këtë e kemi bërë me Ministrinë e Brendshme, byronë dhe Bankën Qendrore edhe ka filluar të përdoret por jo aq sa kishim pas dëshirë ne sepse, si duket, ende nuk ka mbërritur informata tek të gjithë, mirëpo parimisht ka filluar të funksionojë dhe besoj që me kohë edhe këtë vit dhe vitin tjetër do të jetë praktikë e përhershme, shpresoj që nuk do ketë fare nevojë për të nëse edhe mënjanohet Kartoni i Gjelbër”, u shpreh Gashi gjatë raportimit të tij në Komisionin për Diasporë.

E sa i takon Rezolutës që parasheh lehtësira në procedurat kufitare për mërgimtarët e cila javë më parë është votuar në Kuvendin e Kosovës, deputeti i PSD-së, Faton Topalli, i cili është edhe iniciues i saj, thotë se kjo Rezolutë ka gjetur zbatim, ndonëse policia kufitare nuk ka marr asnjë shkresë zyrtare se kjo rezolutë ka hyrë në fuqi.

Topalli bëri të ditur se problemet më të mëdha janë në kufirin me shtetin serb. Po ashtu, ai tregoi se Rezoluta parasheh që edhe numri i policisë në periudhën 15 korrik-15 shtator duhet të dyfishohet.

“Unë kam qenë me datën 15 në kufi në Morinë, ku jam informuar që në pikën kufitare nuk kanë marr fare shkresë zyrtare sa i përket rezolutës, mirëpo kanë dëgjuar kryesisht përmes mediave për çështjen e rezolutës. Atë ditë kur unë kam bërë vrojtimin në kufi mërgimtarët kanë kaluar me procedura të lehtësuara, pritjet kanë qenë 5 minuta , 3 minuta deri në 10 minuta gjë që është në rregull. Megjithatë mendoj që Ministria e Punëve të Brendshme e cila është përgjegjëse për këtë çështje është dashur të informoj pikat kufitare pavarësisht faktit që në shumicën e pikave kufitare pritjet nuk janë shumë të gjata në raport me vitet e kaluara”, ka thënë Topalli.

Ai ka ftuar MBP-në dhe të gjithë punonjësit në pikat kufitare që të japim maksimumin me qëllim që bashkatdhetar të kalojnë me procedura të lehtësuara ashtu siç e parasheh rezoluta.

Ndryshe, kjo Rezolutë e cila është votuar në Kuvendin e Kosovës më 8 korrik të këtij viti, do të aplikohet për periudhën 6 korrik 2018 deri më 31 gusht 2018.

Related posts