Njërit ndër ambasadorëve më të suksesshëm të Republikës së Kosovës po i përfundon mandati. Lirim Greiçevci, ambasadori i Kosovës në Londër është përshëndetur me miqtë e tij të korit diplomatik në këtë vend. Ai së fundi ka falënderuar secilin veç e veç për mbështetjen dhe kontributin e dhëne për vendin tonë. Ambasadori Lirim Greiçevci së bashku me bashkëshorten e tij, Linditën, organizuan pritjen e fundit për të gjithë bashkëpunëtorët e tyre.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të ambasadorit Greiçevcit:
Së bashku me bashkëshorten, Linditën, u përshëndetëm më shumë miq në Londër gjatë pritjes sonë lamtumirëse. Përshëndetjet e tilla sjellin me vete pashmangshëm ndjenjën e pikëllimit, por në të njëjtën kohë edhe të falënderimit, për miqësitë e krijuara dhe kujtimet e mbledhura gjatë viteve të qëndrimit në këtë vend kaq miqësor. Në fjalimin tim lamtumirës, shpreha mirënjohjen time të thellë dhe të familjes sime, për tërë respektin, kujdesin dhe miqësinë e treguar ndaj nesh gjatë më shumë se pesë viteve të qëndrimit tonë. Kemi ardhur si familje treanëtarëshe dhe po kthehemi si familje katëranëtarëshe. Vajza jonë, Elena, është lindur në Londër, dhe kjo e bën lidhjen tonë me këtë vend edhe më të fortë dhe më të veçantë.
Falënderoj Marshallin e Korit Diplomatik, z. Alistair Harrison, që si përfaqësues i Lartëmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II, foli fjalë të ngrohta. Falenderoj edhe Dekanin e Korit Diplomatik, ambasadorin e Kuvajtit, Shkëlqësinë e Tij Khaled Abdulaziz Al-Duëaisan, për fjalët e tij gjatë pritjes. Ambasadori Al-Duëaisan është ambasadori me kohëzgjatjen më të madhe në detyrë në Londër dhe këshillat e tij për mua që nga fillimi ishin shumë të vlefshme dhe të dobishme.
Një falenderim shumë i veçantë për komunitetin shqiptar në Londër, të cilët na kanë pritur me aq dashamirësi dhe respekt. Ky komunitet ka prodhuar superyje, shkencëtarë, arkitektë, mjekë, afaristë, sportistë dhe profesionistë aq të shumtë saqë me ta krenohemi jo vetëm ne si shqiptarë, por edhe populli britanik.
Një falënderim të veçantë ia dedikoj familjes sime, bashkëshortes sime Lindita, për tërë mbështetjen e treguar gjatë mandatit tim. Sakrifica dhe kujdesi i familjeve të diplomatëve shpesh është i injoruar dhe i anashkaluar, por siç e dinë të gjithë ata që shërbejnë jashtë vendit në misione diplomatike, familja është me meritorja për suksesin e secilit.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për stafin e ambasadës, ata që shërbejnë tani dhe ata më herët, të cilët më kanë ndihmuar gjatë ushtrimit të mandatit tim në Londër.
Faleminderit Kosovë për këtë nder të jashtëzakonshëm për të shërbyer dhe jetuar në këtë vend të mrekullueshëm.