Ka shkuar në tre numri i viktimave të aksidentit që ndodhi pasditen e sotme në Gllarevë të Pejës.
Më herët u raportua se nga ky aksident kanë mbetur të vdekur dy persona, një mashkull dhe një femër, mirëpo gjatë rrugës për në QKUK, ka ndërruar jetë edhe një person tjetër, i cili ishte i lënduar rëndë.
Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate.
“Viktima të këtij aksidenti janë 3 shtetas të Kosovës, një (1) e gjinisë femrore dhe dy (2) të gjinisë mashkullore, një prej të cilëve kanë humbur jetën në vend të ngjarjes, viktima e dytë ka ndërruar jetë rrugës për ne ambulanten e Klinës, kurse viktima e tretë pasi që kishte lëndime të rënda trupore është dërguar me autoambulancë në QKUK Prishtinë por i njëjti ka arritur pa shenja jete, vdekjen e tyre e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka bërë të ditur PK.
Tre persona të tjerë, sipas Policisë, kanë pësuar lëndime.
“Tre të lënduarit pas marrjes se ndihmë se parë në spitalin rajonal në Pejë lirohen për shërim të mëtutjeshëm në shtëpi”, thuhet në njoftim.
“Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës VW PASAT ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës dhe me të arritur në fshatin Gllarevë, hyn në tejkalim dhe i njëjti me pjesën e parë ballore përplaset ne autobusi cili ishte duke qarkulluar ne drejtim të Prishtinës dhe pas kësaj goditje përplaset edhe me veturës Jaguar i cili ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës”, bën të ditur PK.