Republika e Kosovës dhe Republika helenike janë dakorduar në parim që t’i japin një frymë të re bashkëpunimit reciprok dhe të ngrenë në një nivel më të lartë se ai i tanishëm marrëdhëniet në mes dy vendeve.
Kjo është bërë e ditur pas një takimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme greke dhe bisedimeve të zhvilluara në mes delegacionit të Kosovës të kryesuar nga Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, dhe atij nga MPJ e Greqisë të kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm për Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare, Ioannis Brachos.
“Në kuadër të sinergjive të reja të bashkëpunimit fillimisht do të organizohen dy Forume Ekonomike në mes dy vendeve respektive dhe me pjesëmarrjen e ndërmarrësve nga të dyja anët: i pari në kryeqytetin grek Athinë, e i dyti në Selanik, për të hapur më pas Zyrën Ekonomike dhe Përfaqësimin e shtetit të Kosovës në shtetin grek gjatë një vizite që Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, z. Behgjet Pacolli, pritet t’i bëj Athinës zyrtare në vjeshtë të këtij viti”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Të dyja palët e kanë vlerësuar si kapitull të ri të marrëdhënieve në mes dy vendeve këtë lëvizje të re, duke i dhënë shtytje dhe forcuar bashkëpunimin dhe mbështetjen respektive edhe në fushën politike, atë të perspektivës euroatlantike dhe projekteve të përbashkëta që mund të burojnë nga BE-ja, bashkëpunimin kulturor dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.
“Edhe pse Greqia de jure ende nuk e njeh Kosovën, shteti grek ka ndjekur një qasje konstruktive dhe mbështetëse ndaj Kosovës në aspektin ndërkombëtar. Ne, sot jemi pajtuar që të ngremë në një nivel të ri bashkëpunimin dhe komunikimin në mes dy vendeve”, ka thënë Vuniqi.