Kryediplomati Pacolli, mbrëmë gjatë një interviste ka thënë se udhëtimin e tij të fundit drejt Brukselit, kur shkuan për takim te Mogherini, e ka paguar me para të veta.
Sipas tij, kur në një udhëtim të tillë ndodhet disa persona tjera, siç ishte rasti i fundit kur Pacollin në aeroplanin e tij luksoz po e shoqëronin Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Dardan Gashi e gazetari Baton Haxhiu, gjithçka shpaguhet.
Ai ka zbuluar se kostoja për një orë fluturim me aeroplanin e tij është 8 mijë euro, me të gjitha shpenzimet, që i bie se deri në Bruksel mund të ketë paguar 20 mijë euro nëse udhëtimi ka zgjatur 2 orë e gjysmë.
Por, Pacolli ka insistuar se ai ka paguar vet për këtë udhëtim. Ai ka thënë se “nuk e di se cka janë mëditjet se paga e tij shkon në Fondacionin e tij dhe më pas shpërndahet për bursa”.
Gjatë udhëtimit me aeroplan, u raportua për një incident në ajër pasi aeropani rrezikonte të hynte në hapësirën ajrore të kontrolluar nga Serbia për fajin e kullës në aeroportin e Tiranës. Por, ALBCONTROL ka sqaruar për Gazetën Express se planin e fluturimit e kishte hartuar vetë piloti i Pacollit dhe se ky institucion thjesht e kishte aprovuar tek autoritetet evropiane.