Ivica Daçiq po krenohet më tërheqjen e pretenduar të njohjeve për Kosovën, nga vendet që nuk e kanë ndonjë ndikim ndërkombëtar. Kjo nuk ka ndonjë peshë në dialog dhe e pengon zgjidhjen e problemeve me Kosovën
Kështu ka thënë për gazetën serbe Danas, drejtori i Qendrës për Rajonalizim të Novi Sadit, Aleksandar Popov.
Reagimi i tij erdhi pas përplasjeve të Daçiqit me ministrin Pacolli, të cilët po zhvillojnë një “luftë diplomatike”.
Popov thotë se Daçiq po përpiqet ta sfidojë pavarësinë e Kosovës, përkundër se vendet që pretendohet se po tërheqin njohjet kanë dërguar mesazhe kontradiktore, transmeton lajmi.net.
Ai kujton rastin e fundit me Liberinë ku në Serbi u tha se ky vend nuk e njehë më Kosovën, kurse liderët e këtij shteti thonë pastaj se nuk është e vërtetë.
“Kjo gjë nuk do të ndikojë në arritjen e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pasi që Brukseli nuk i merr parasysh. Por mendoj se kjo konsumon shumë energji dhe të holla, pasi nuk e dijmë se si po lobohet për tërheqjen e njohjeve”, tha Popov.
Ai tha se ka vende ku demokracia është pak e zhvilluar, dhe normalisht që me para mund të synohet realizimi i qëllimeve politike.
Kurse Zivadin Jovanoviq një ish-ministër i jashtëm i ka dalur në krahë Daçiqit, duke thënë se në të ardhmen edhe shtetet më serioze do ta shqyrtojnë njohjen për Kosovën.
Sipas tij, Daçiq dhe Pacolli nuk mund ta akuzojnë njëri-tjetrin kur është fjala për ryshfet dhe korruptim.
Ndryshe ditëve të fundit në Serbi ka pasur moblizim që shtetet sidomos afrikane ta tërheqin njohjen për Kosovën.
Në anën tjetër shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli gjatë një raportimi për Komisionin e Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur se Serbia po investon para të majme te këto shtete, në mënyrë që ato ta tërheqin njohjen për Kosovën. /Lajmi.net/