Ushtria e Koresë së Jugut ka njoftuar se ka ngritur aeroplanët ushtarakë në ajër dhe në gjendje gatishmërie, ndërsa pesë aeroplanë ushtarakë kinezë dhe gjashtë rusë fluturuan në zonën e saj të mbrojtjes ajrore.
“Pesë aeroplanë ushtarakë kinezë dhe gjashtë rusë hynë dhe dolën nga Zona e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë në Detin Lindor dhe Detin e Jugut”, tha në një deklaratë Shefi i Shtabit të Përbashkët të Seulit (JCS).
Por, bëhet e ditur se aeroplanët nuk e shkelën hapësirën ajrore të Koresë së Jugut, e cila ishte në gjendje t’i identifikonte ata dhe të merrte masa për çdo rast.
Një zonë identifikimi e mbrojtjes ajrore është një zonë më e gjerë se hapësira ajrore e një vendi.
Ministria e Mbrojtjes e Kinës i quajti fluturimet si “patrulla e tyre e nëntë e përbashkët strategjike” duke shtuar se ato u zhvilluan “sipas planit vjetor të bashkëpunimit midis ushtrisë kineze dhe ruse”, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
Siç raportohet, që nga viti 2019, Kina dhe Rusia kanë fluturuar rregullisht aeroplanë ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut pa njoftim paraprak, duke përmendur stërvitjet e përbashkëta.
Incidente të ngjashme ndodhën në qershor dhe dhjetor të vitit të kaluar, dhe në maj dhe nëntor 2022.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut kërkoi që “të merren masat e duhura për të parandaluar të përsëriten këto fluturime”, duke shtuar se veprime të tilla mund të “rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet në rajon”.
Ndryshe, Kina dhe Rusia kanë zgjeruar lidhjet ushtarake dhe të mbrojtjes që kur Moska nisi luftën me Ukrainën gati tre vjet më parë.
Të dyja janë gjithashtu aleatë tradicionalë të Koresë së Veriut, armikut kryesor të Jugut.
Ngritja e aeroplanëve të Jugut shënojnë incidentin e fundit që përfshin ushtritë ruse dhe kineze në muajt e fundit.
Në fillim të këtij muaji, Italia dhe Norvegjia mobilizuan aeroplanët pasi aeroplanët rusë u panë mbi Detin Baltik dhe përgjatë bregdetit norvegjez.