970×90
970×90
970×90
970×90

Pensionistët të ashpër me Qeverinë: Është krim dhe turpi i Zotit se sa para marrim

Pensionistët të ashpër me Qeverinë: Është krim dhe turpi i Zotit se sa para marrim

Pensionistët e quajnë lëmoshë shumën e mjeteve që marrin nga Qeveria e Kosovës.

Ata thonë se nuk mund t’i kryejnë shpenzimet e tyre, ngase pensionet janë të ulëta, derisa shprehen të zhgënjyer nga pushteti aktual për mos rritjen e pensioneve. Se vlera e pensioneve duhet të rritet e thonë edhe nga opozita.

Pensionisti Bajram Kastrati thotë se pensioni prej 150 eurove nuk i mjafton as për blerjen e barnave për të dhe gruan. Ai shprehet se përkundër çmimeve të larta të artikujve ushqimorë dhe faturës së energjisë elektrike, vlera e pensionit është shumë e vogël.

Bajram Kastrati

Sipas tij, pensioni duhej të ishte së paku 400 euro, ngase sipas tij, dy deputetë të Kuvendit të Kosovës e shpenzojnë atë shumë për ngrënien e mëngjesit.

“Pensioni im nuk del as për barna t’ia blejë gruas që e kam me stenta. 150 euro, unë jam me reumë, nuk del. Ky nuk është pension, është ndihmë sociale, biles ndihma sociale është pak më e madhe. 150 euro, kjo është jashtë çdo norme…Çmimet jo këtu, por mbi kulm kanë hipur. Kjo është turpi i Zotit. 150 euro pension, 140 më shkojnë për gruan t’i blejë terapitë. E disa vjen fatura e rrymës, nën 50 euro nuk vije kurrë. Pika e verës 40 gradë temperatura, 50 deri 60 euro vjen fatura e rrymës…Minimumi është dashur të jetë 400 euro pensioni. Çfarë janë 400 euro, dy deputetë për dy mëngjese 400 euro i shpenzojnë, që nuk e hapin gojën kurrë në kuvend”, shprehet Kastrati.

Pensionisti Fehmi Rexhepi konsideron se vlera e pensionit kontribut pagues është më pak sesa lëmoshë. Ai thotë se për ta bërë një jetesë të zakonshme, pensioni do të duhej të ishte rreth 500 euro.

Fehmi Rexhepi

Ai kritikoi qeverinë aktuale për dështimet e saj në realizmin e premtimeve.

“Absolutisht nuk është e mjaftueshme, është më pak sesa lëmoshë. Për punën 45 vjeçare, me fakultet merren 265 euro. Kjo është më shumë se krim. Të tjerët i marrin edhe më pak. Së paku pensioni duhet të ishte 500 euro, në mënyrë që të kemi një jetë normale, minimale, të zakonshme…A po mund t’i mbuloni shpenzimet tuaja me pension?

Po i mbulojmë, pasi po na ndihmojnë edhe fëmijët. Përndryshe jo, askush nuk mund t’i mbulojë me 200 euro pensione shpenzimet…Si gjithë populli nuk jemi të kënaqur fare. Kjo është qeverie e dështimit, qeveri e cila prej marrjes së mandatit nuk ka kryer asnjë punë, asnjë projekt nuk e ka realizuar. Premtime të kota ka dhënë, populli i ka besuar”, thotë Rexhepi.

Edhe Hisen Hiseni potencon se e kanë të vështirë t’ia dalin me 100 euro pension, derisa thekson se çmimet në përgjithësi janë të larta.

Hisen Hiseni

Hiseni thotë se qeveritarët po mendojnë vetëm për veten e tyre.

“Ku t’i mbulojmë (shpenzimet) me 100 euro. Po ia dalim prej kiametit, çfarë të bëjë. Pensioni nën 600 deri 700 euro nuk bënë të jetë. Standardet janë të larta këtu, çmimet janë të larta këtu…Ata (qeveritarët) po i marrin për vete. Ose ata i marrin për vete, ose të na rrisin neve. Çfarë të bëjmë”, potencon Hiseni.

Ndërkaq, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë se pensionet kontribut paguese së paku do të duhej të ishin barabartë me paga minimale. Sipas tij, pensionet e pleqërisë minimalisht është dashur të dyfishohen.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri

“Pensionet kontribut paguese është dashur të jenë të paktën barabartë më pagën minimale, të paktën. Pensionet e pleqërisë është dashur minimum të dyfishohen. Tani vlera 100 euro nuk është kurrfarë ndihme për askënd.100 euro e dimë se çfarë mund të merr me 100 euro një përfitues i pensionit të moshës, asgjë”, thekson Shatri.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve nëse kanë në plan të rrisin vlerën e pensioneve gjatë vitit 2024 dhe sa mund të jetë rritja, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Për herë të fundit, Qeveria e Kosovës në janar të vitit 2022 ka miratuar propozim-vendimin për rritjen e shumës së skemave pensionale. Atë kohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se asnjë pension nuk do të jetë nën 100 euro. /KP

Related posts