Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e aktorit kosovar Xhevat Qorraj, artisti i madh i skenës teatrore dhe kinematografike në vend.
Kurti ka kujtuar kohën kur Qorraj kishte filluar karrierën në filmin “Prroka”, të cilin ai tha se e ka rishikuar disa herë qysh kur ka qenë 10 vjeçar, transmeton Reporteri.net.
Kryeministri ka shprehur ngushëllime për familjarët, miqtë, dhe komunitetin e artistëve në Kosovë.
“Aktor i gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë në Kosovë, me karrierën e tij artistike mbi pesë dekadëshe, Xhevat Qorraj do të mbetet ndër ata emra që e kanë shenjuar vetë historinë e kinematografisë dhe artit në Kosovë”, shkroi Kurti.
“Mes kujtimesh për aktorin Xhevat Qorraj nëpërmjet filmave ku ai ka luajtur, dua tu shprehë ngushëllimet më të sinqerta nga ana ime familjes Qorraj, kolegëve dhe miqve të aktorit Xhevat Qorraj si dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë”, tha tutje.
Aktori Xhevat Qorraj, i lindur në fshatin Carrabreg të Deçanit, vdiq të mërkurën e 23 gushtit.