Dy muaj pas incidentit që ndodhi në vendin e njohur si te ‘Kafet e Vogla’ në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur 33-vjeçari, Meriton Pajaziti, i dyshuari është dorëzuar në Polici. I njëjti ka qenë në kërkim, por njësitë policorë nuk kanë arritur ta arrestojnë derisa ai vendosi të paraqitet para organeve të rendit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për të dyshuarin Leutrim Krasniqi, i cili pas intervistimit nga hetuesit policorë, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Krasniqi do të hetohet për veprat penale “Lëndim i rëndë trupore”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndryshe, rasti ka ndodhur më 23 qershor, kur për motive akoma të panjohura, Krasniqi po dyshohet se e ka plagosur Pajazitin në këmbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda, për çka ka marrë trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në dëshminë që kishte dhënë viktima lidhur me rastin, kishte deklaruar se nuk e njeh personin e dyshuar me të cilin e zuri sherri.
Megjithatë, gjatë procesit të hetimit pritet të zbulohen detajet dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur e gjithë ngjarja.