Sot, 50% më pak prezencë të forcave policore në ndërtesat komunale në veri
Nga sot, e premte, fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind, në dhe përreth objekteve komunale në veri, kjo si zotim që buron nga dakordimi i Bratisllavës për shtensionim të situatës në veri.
Kësisoj nga sot do të ketë 50 përqind më pak prezencë të forcave policore rreth objekteve komunale në veri.
Më 13 korrik janë larguar edhe 25 përqind e Policisë së Kosovës nga dhe rreth objekteve komunale në vei, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Siç bëri të ditur edhe Policia e Kosovës gjatë ditës, deri te ky vendim erdhi pas një takimi me EULEX-in dhe KFOR-in ku është konstatuar se situata është e qetë në atë pjesë të vendit, çka i ka hapur rrugë këtij vendimi.
Zëvendëskryeminsitri Besnik Bislim, njëherësh kryenegociator në dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë pas Marrëveshjes së Bratislavës, është duke ndodhur një proces drejt de-përshkallëzimit.
Ai shtoi se Kosova po respekton plotësisht angazhimet e saj, derisa tha se beson që edhe pala tjetër do të bëjë të njëjtën gjë.
Ndërsa edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mirëpritur vendimin për zvogëlimin e pranisë policore përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, që ka ardhur si rezultat i vlerësimit të përbashkët ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it.
Zvogëlimin e pranisë së policisë në veri, Lajçak e ka cilësuar hap të rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë.
“E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe NATO-KFOR siç është rënë dakord në Bratislavë”, ka shkruar Lajçak.
Zvogëlimi i pranisë policore në veri është obligim që ka dalë nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri në fillim të korrikut në Bratisllavë.
Përveç zvogëlimit të pranisë policore, në marrëveshje është edhe organizimi i zgjedhjeve në katër komunat veriore, për të cilat Qeveria e Kosovës ka thënë se ka nisur punën.
Qeveria e Kosovës njoftoi më 11 korrik se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.