Opozita kërkon shkarkimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili prej disa ditësh ndodhet në paraburgim nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale. Bashkë me Krasniqin, opozita beson se duhet shkarkuar edhe Bordi i KEK.
Visar Azemi koordinator i departamentit për energji nga LDK, thotë se shkarkimi i Nagip Krasniqit është dashur të ndodhte menjëherë pas arrestimit, në të kundërtën thotë se KEK po identifikohet me krim dhe korrupsion.
“Mendoj që duhet me u shkarku edhe Bordi, barabart me ta edhe bordi është politik. Bordi i cili e ka qitë në krye Nagipin, bashkë me Nagipin duhet me shku në shtëpi, me u shkarku. Duhet me i hap rrugë drejtësisë me kry punën e tyre, mos mu marrë në mbrojtje qysh po i merr në mbrojtje kryeministri me ekpiën e tij dhe partinë Vetëvendosje, me ataku organet e pavarura të drejtësisë, në vend se me kërku edhe ata shkarkimin e Nagipit, i cili pretendohet që është i fajshëm”, tha Azemi për Gazetën Express.
Ai shtoi se shkarkimi i Nagip Krasniqit është kompetencë e bordit dhe se sipas tij mbajtja e Krasniqit në krye të KEK i “qet hije të keqe KEK-ut”.
“Shkarkimi duhet të ndodhë menjëherë, janë vonu këta. Këta janë tu u mundu me marrë në dorë drejtësinë e prokurorinë, në vend se me kërku shkarkimin e Nagipit dhe me i dhanë mundësi organeve me hetu rastin deri në fund. Kompetencë e bordit është nëse ata dojnë me mbajt në funksion një njeri i cili po hetohet për krim e korrupsion, kjo i qet hije edhe vetë KEK-ut për me u identifiku me krimin dhe korrupsionin”, përfundoi ai.
Abelard Tahiri, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar të shkarkohet Nagip Krasniqi, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut. Tahiri ka deklaruar se të mërkurën do të ketë seancë të jashtëzakonshme në lidhje me këtë çështje.
“Do ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme, në lidhje me arrestimet e fundit në KEK dhe një sjellje të pahijshme të mazhorancës. Në këtë rast ju e keni parë një gjuhë të pahijshme, kjo është e paprecent. Ky person të shkarkohet, bordi të shkarkohet”, ka thënë ai.
Përveç shkarkimit të kryeshefit të KEK-ut, Tahiri ka kërkuar edhe shkarkimin e bordit.
“Ajo që kemi kërkuar edhe ditën e enjte që ky person të shkarkohet. Bordi i KEK-ut të shkarkohet dhe të merren masa edhe ndaj akterë të tjerë që janë përfshirë në kuadër të menaxhimit të krizës të energjisë me ato keqpërdorimet që kanë ndodhur. Për ne si deputetë është e papranueshme që kryeshefi, që është në paraburgim, vazhdon të jetë edhe në krye të Korporatës”, deklaroi ai.
Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi. I njëjti dyshohet për kryerjen e tri veprave penale. Por mbrojtja e tij, Taulant Ferizi, kundër këtij vendimi ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.
Në një bisedë për Gazetën Express, avokati Taulant Ferizi, tha se presin nga Apeli një vendim në favor të klientit të tij.
Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u arrestua javën e kaluar nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ , dhe ‘’Konflikti i interesit’’.
Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti, “me qëllim gjetjen e dëshmive të cilat kanë të bëjnë me veprat penale të lartcekura”, ka njoftuar prokuroria.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, ka njoftuar prokuroria.