I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar për një takim që ka zhvilluar bashkë me emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Lajçak njoftoi se me Escobarin u ul pas takimit të djeshëm të nivelit të lartë në Bruksel, ku u arrit dakordimi për propozimin evropian për arritjen e një marrëveshjeje në dialog, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lajçak tha se takimi i sotëm me Escobar erdhi si nevojë e koordinimit të hapave të mëtejshëm para takimit të radhës që do të mbahet në Shkup, më 18 mars.
I njëjti tha se të dy u pajtuan mbi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut.
“Pas takimit të djeshëm të nivelit të lartë, Zëvendës Asistenti Escobar dhe unë u ulëm për të koordinuar hapat e mëtejmë në prag të takimit të ardhshëm. U dakorduam mbi rëndësinë e modaliteteve të implementimit dhe nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet ekzistuese të Dialogut”, njoftoi Lajçak në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u pajtuan të hënën në Bruksel për ta çuar para procesin e dialogut përmes pranimit të propozimit të Bashkimit Evropian, ndonëse i njëjti nuk u nënshkrua nga të dy liderët.
Propozimi, i cili edhe u bë publik për herë të parë dje, përmban gjithsej 11 nene. Pos marrëveshjes bazë, propozimi përmban edhe planin e zbatimit.
Takimi i radhës i Nivelit të Lartë është paraparë të zhvillohet më 18 mars në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ndërmjetësues do të jetë Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell. Ai pritet të zhvillojë vizitë në rajon, me ç’rast do t’ua kushtojë një pjesë të kohës liderëve të Kosovës dhe Serbisë.