
Pasi nuk ia doli që të funksionalizonte bllokun B2, lajmi i fundit është që nga sistemi ka rënë edhe blloku A3.
Kjo pritet ta vështirësojë ndjeshëm situatën me energji elektrike, dhe tashmë KOSTT ka kërkuar nga KEDS gjatë ditës që të bëjë “kufizime emergjente të energjisë elektrike.”
Sipas KEDS-it ndërkohë, pas rënies së bllokut A3 të termocentralit Kosova A, në Kosovë aktualisht prodhohen më pak se 400 megavatë.
Nacionale ka raportuar më herët gjatë ditës se edhe blloku B2 nuk ka arritur të kthehet me kohë në funksion.
Burimet e gazetës kanë bërë me dije se shtyrja është bërë “për të paktën një javë”.
Për më tepër, në komunikatë thuhet se mund të mos ketë as njoftime për konsumatorët me kohë në rast të reduktimeve të shtuara.
KEDS shkruan se në mënyrë që të mos ngritet numri i orëve të reduktimeve me rrymë, qytetarët duhet të bëjnë “kursim maksimal” të energjisë elektrike.
“Në ballafaqim me kufizime emergjente, do të jetë shumë e vështirë të njoftohen të gjithë konsumatorët në kohë, për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre”, – shkruhet mes tjerash në komunikatë e cila përfundohet me fjalët “Së bashku mund t’ia dalim!”
Nacionale po provon të kontaktojë me KEDS-in për të marrë më shumë informacione për rënien nga sistemi të bllokut A5.
Komunikata e plotë:
Përkeqësohet situata e furnizimit me energji elektrike nga rënia e njësisë A3
KOSTT-i ka kërkuar sot nga KEDS që si pasojë e rënies nga sistemi të njësisë A3, të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike. Kjo bën që në vend aktualisht të prodhohen më pak se 400 megavatë, që e bën situatën aspak të favorshme.
Në ballafaqim me kufizime emergjente, do të jetë shumë e vështirë të njoftohen të gjithë konsumatorët në kohë, për çka kërkojmë mirëkuptimin e tyre.
Aktualisht kufizimet janë dy orëshe, por që të mos përkeqësohet tutje situata, kërkojmë nga të gjithë konsumatorët kursim maksimal të energjisë elektrike. Përdorimi i saj në mënyrë efiçiente bën që të gjithë të kemi energji elektrike më tepër.
Në këto rrethana të vështira, duhet të veprojmë të bashkuar në mënyrë që t’i kapërcejmë ato sa më lehtë. Së bashku mund t’ia dalim!