
Tradita e fotos në “ballkonin” e Llogarasë nuk është aspak zakon i kohëve moderne. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ka publikuar një foto të viteve `30-`40 dhe është po e njëjta pamje, përveç faktit që është një foto bardhë e zi.
Janë disa vende që kthehen vetvetiu në atraksione turistike për shkak të pamjes spektakolare që ofrojnë. Një nga këto vende është edhe rruga piktoreske e Llogarasë. Në fakt nuk bëhet fjalë për të gjithë segmentin rrugor i cili ka kthesa të forta por për një vend nga ku mund të shohësh nga lart kthjelltësinë e detit të bukur të Jonit dhe natyrën çlodhëse.
Përpara pushimeve në jug të vendit ose pas tyre, shumë qytetarë ndalojnë natyrshëm për të bërë foto e “selfie” në ballkonin e famshëm të Llogarasë.
Por mesa duket ky ballkon nuk është bërë i famshëm kohët e fundit, pasi fotoja që arkivi publikon dëshmon që “ballkoni” i Llogarasë ka qenë vendpushim për foto, që në fillimet e shekullit të kaluar./atsh/