
Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se brenda vitit pritet finalizohet ligji i ri për diasporën dhe strategjia për angazhimin e diasporës.
Ai ka thënë se do të trajtohet edhe mënyra si do të votojë mërgata në të ardhmen.
“Do ta trajtojmë edhe çështjen e votës jashtë vendit në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos mbahen sikur në të kaluarën kur duhet të votohet para se të bëhet fushata shumë më herët përmes postës ose duhet paguar biletat e shtrenjta të aeroplanit për Kosovë. Mërgata jonë gjithmonë është e mirëseardhur mirëpo kemi për detyrë që shërbimi ynë i jashtëm, përfaqësitë tona diplomatike, ambasadat dhe konsullatat të mundësojnë edhe shërbimin e votës prej jashtë vendit”, tha Kryeministri Kurti, në takimin që zhvilloi të dielën bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi,me bashkatdhetarët tanë, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri Kurti tha se qeveria është duke punuar në krijimin e kushteve për ngritjen e investimeve nga mërgata në atdhe, dhe për transferim të dijes e përvojes nga mërgata në Kosovë.
“Nuk ka ministri që nuk ka dikë nga mërgata jonë, e ne i kemi tre ministra që i janë bashkangjitur qeverisë sonë pikërisht nga diaspora. Ministra e Shëndetësisë, ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kanë tre veprimtarë të çështjes kombëtare, profesionistë të dalluar, të cilët janë në kabinetin tonë qeveritarë”, tha ai. /Reporteri.net/.