
Është nënshkruar sot në Podgoricë Marrëveshja Themelore mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KPS), Porfirije ka mbërritur në Podgoricë, ka raportuar sot gazeta online “Vijesti”.
Sipas informacioneve të mediumit Vijesti, Porfirije rreth orës 10 duhet të nënshkruajë Marrëveshjen Themelore me Qeverinë e Dritan Abazoviqit në Villa Goricë, shkruan Paparaci.
Një pjesë e mediave paraprakisht kishin raportuar se nënshkrimi i marrëveshjes do të bëhej më 3 gusht, por kryeministri Dritan Abazoviq e kishte mohuar këtë datë.
Qeveria e Malit të Zi nuk kishte njoftuar paraprakisht ardhjen e Patriarkut Porfirije në Podgoricë të mërkurën.
Në një fotografi që Abazoviq ka postuar në platformën komunikuese Telegram, shihet se në ceremoninë e nënshkrimit ka qenë i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç dhe Mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije.
Versioni aktual i Marrëveshjes Themelore për marrëdhëniet ndërmjet shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban kryesisht obligimet e shtetit dhe institucioneve ndaj kësaj bashkësie fetare.
Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi i mundësohet eksterritorialiteti i objekteve fetare, hapet mundësia mësimit fetar në shkollat publike, i njihet subjektiviteti për gjashtë shekuj më i gjatë se sa që Kisha Ortodokse Serbe ka në Serbi, i jep asaj kompetenca publike-juridike dhe në disa fusha ia mundëson statusin ligjor të barabartë me institucionet shtetërore.
Marrëveshja ka nxitur partinë opozitare Fronti Demokratik – që mbështet nënshkrimin e marrëveshjes – të kërkojë po ashtu dorëheqjen e Abazoviqit. Por, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje.