Në bilbordat të cilët janë vendosur në qendër të Prishtinës, e ku shihet portreti i Albin Kurtit dhe Vjosa Osmani, të njëjtit kanë vendosur thënien “Babai i madh është duke ju shikuar”.
Frashër Krasniqi nga PSD ka deklaruar se figura e babës është e gjithëpranishme dhe se një rendi i tillë nuk ka nevojë për kontroll e mbikëqyrje, sepse fryma e përditshme përshkohet nga autocensura.
“Figura e babës është e gjithëpranishme. Një rend i tillë nuk ka nevojë për kontroll e mbikëqyrje, sepse fryma e përditshme përshkohet nga autocensura. Në fund të fundit, baba edhe kur e ka keq, e ka mirë, apo jo? Figura e babës dhe ajo e autoritetit suprem janë fytyrat e disiplinës e kontrollit, moralit e fajit. Baba nuk e lejon ndërgjegjen e dytë në truallin e tij. Syri i tij bëhet shikimi yt, sepse ai nuk pretendon që është vetëm shteti, por ngadalë insiston të bëhet shoqëria. Si pjesë e këtij procesi të ri, lindin normat.Përmes ceremonialeve e simboleve të shpikura e të përvetësuara, me himn partie e shami shesheve, realizohet rituali politik i një regjimi të ri. Aty nuk ka qendra mendimi, por vetëm vegla kufizimi. Mjafton ta lexojmë këtë aspekt për ta kuptuar sforcimin që përmes ritualit mundohet të konvertohet në besim. Regjimi i Kurtit rregullohet nga ligjet e veta”, shkroi Krasniqi.
Tutje ai shtoi se një mentalitet politik i cili mendon se e mira publike mund të përcaktohet dhe kuptohet, në tërësinë e saj, vetëm nga një lloj i qeverisjes dhe të shtrihet deri në kapjen e secilit segment, nuk bënë gjë, përveç se ushtron tashmë dhunë, përmes ligjërimit publike.