Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dhe suspenduar një tjetër zyrtar policor i cili dyshohet se ka keqtrajtuar një person gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Përmes një komunikate të lëshuar për medie, IPK njofton se hetimi kishte filluar kur përmes rrugëve operative, hetuesit policorë kanë siguruar video-incizimin në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore.
Ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar për rastin e njëjtë, pas policit Haris Kelmendi.
Haris Kelmendi, në një video të zbuluar së fundi, shihet teksa e rrah një të ri në stacionin policor.
Videoja është bërë vite më parë, por vetëm tash është zbuluar.
Pas lirimit të policit Kelmendi, ai më pas është arrestuar sërish dhe i është caktuar masa e arrestit 30-ditësh.
Komunikata e plotë e IPK-së:
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka arrestuar sot një zyrtar policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë).
Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. I njëjti ishte suspenduar ditë më herët me rekomandim të IPK-së.
Hetimi kishte filluar nga IPK kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (vide-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë.
Ky është zyrtari i dytë policor i arrestuar lidhur me rastin e njëjtë pasi që
IPK-ja kishte arrestuar edhe një zyrtar policor të dyshuar më 28.01.2021.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.