Kreu i VV-së, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nga Lista “Guxo” kanë hapur fushatën në qytetin e Pejës.
Nga aty kreu i VV-së ka thënë se në zgjedhjet e 14 shkurtit pritet të ketë numër rekord të votuesve.
Ai ka komentuar edhe faktin që në listën e VV-së për deputetë nuk do të figurojë emri i tij, teksa ka thënë se këto janë pengesa të cilat, partia që e drejton do t’i tejkalojë.
“Po na merr moti shumë i mirë dhe duket se kjo fushatë e paralajmëron pranverën e vitit 2021. Ne e kemi listën me 110 kandidatë, ka pengesa e vështirësi të ndryshme, por asnjë të atillë që nuk do ta tejkalojmë”, u shpreh ai.
Ndërsa Vjosa Osmani nga lista “Guxo” ka thënë se 14 shkurti do të jetë referendumi që do ta ndryshojë jetën e qytetarëve për të mirë.
“14 shkurti vërtetë do të jetë një referendum që do ta ndryshojë jetën e qytetarëve për të mirë. Fryma e fitores po ndihet kaq mirë e kaq qartë sot dhe jam e bindur se do të vazhdojë anë e kënd Kosovës sepse Peja ka ditur përgjatë historisë t’i prijë ndryshimit. Qytetarët e Kosovës pavarësisht cilës parti i kanë takuar në të kaluarën tashmë janë vendosur t’i bashkohen vullnetit për ndryshim”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se fushata zgjedhore ka nisur sot dhe do të përfundojë më 12 shkurt, kurse qytetarëve do t’iu drejtohen kutive të votimit më 14 shkurt. Në garë për kryeministër janë katër kandidatë: Albin Kurti nga Vetëvendosje, Avdullah Hoti nga LDK, Enver Hoxhaj nga PDK, Fatmir Limaj nga NISMA. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka kandidat për kryeministër, por kreu i saj Ramush Haradinaj është kandidat për president.